Sistemi bankar rezultoi me një fitim prej 10.5 miliardë lekësh në 6-mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që raporton në bazë të standardeve lokale të kontabilitetit.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur sistemi filloi të vuajë pasojat që dha pandemia te biznesset dhe ekonomia, fitimi është rritur me 47%.

Fitimi i gjysmës së parë të këtij viti është ndërkohë në nivele të njëjta me janar-qershor të 2019-s, duke iu rikthyer niveleve të parakrizës, në një tregues se sistemi e përballoi pa shumë probleme pandeminë dhe tashmë i është kthyer normalitetit.

Të ardhurat nga interesi, që përbëjnë zërin kryesor të hyrjeve të bankave, u rritën me gati 5% me bazë vjetore për 6 mujorin, pas gjallërimit të kreditimit të ekonomisë dhe rifillimit të pagesave për kreditë që u ngrinë përkohësisht gjatë pandemisë.

Të ardhurat nga jo interesi u zgjeruan me 30%.

Por, ndikimin kryesor në përmirësimin e rezultati financiar neto të bankës e ka dhënë ulja me 47% e shpenzimeve për provigjione (paratë që bankat lënë mënjanë për kreditë e këqija).

Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë treguan se kreditë që nuk kthehen në afat kanë shënuar rënie të fortë në muajin qershor, duke zbritur në 7.12% të totalit të portofolit, nga 7.8% muajin e mëparshëm, duke arritur në nivelin më të ulët që nga viti 2008.

Ulja e këtij treguesi ka çliruar bankat nga shpenzimet për provigjione. Rritja e fitimeve ka përmirësuar dhe treguesit e rentabilitetit të sistemit.

Kthyeshmëria nga aktivet ishte 1.27% për 6 mujorin e parë të 2021, nga 0.88% në janar-qershor të një viti më parë.

Kthyeshmëria nga kapitali u përmirësua në 11.87%, nga 7.53% në janar-qershor 2020, kur vendi ishte në kulmin e pandemisë. /Monitor