Finalja e “Big Brother VIP Kosova” u përmbyll me një spektakël mes emocioneve të forta, surprizave dhe një atmosfere elektrizuese që shoqëroi natën më të rëndësishme të këtij edicioni.

Pas një rrugëtimi të gjatë brenda shtëpisë më të famshme në vend, fitues i këtij sezoni u shpall Londrim Mekaj. Ai arriti të rrëmbejë çmimin e madh prej 150 mijë eurosh, duke kurorëzuar kështu aventurën e tij me triumf dhe duke u bërë emri që do të mbahet mend si fituesi i edicionit të katërt. Momenti i shpalljes u shoqërua me ovacione, konfeti dhe emocione të papërmbajtura, ndërsa Londrimi falënderoi publikun për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë rrugëtimit.
Megjithatë, vëmendjen e rrjetit e mori menjëherë reagimi i tij pas finales. Vetëm pak orë pas përfundimit të spektaklit, fituesi ndau një imazh nga momentet pas triumfit, duke e shoqëruar me mbishkrimin:

“Qeshtu doket njeri me 150k n’xhep”.

Postimi u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale, duke marrë mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit, të cilët e përgëzuan për fitoren dhe për stilin e tij spontan në reagim. “Big Brother VIP Kosova” mbylli një tjetër kapitull të suksesshëm, duke lënë pas një sezon të mbushur me dinamika, debate dhe momente që do të mbahen mend gjatë.