Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti vendimin për shkarkim të Sevdarit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit si masë disproporcionale me problemet e vërejtura në pasurinë e vënë nga bashkëshorti para martese, por theksoi se rasti i Sevdarit është i veçantë dhe nuk sugjeron për ndonjë problem sistemik në procesin e vetingut. Ish-prokurorja përfitoi edhe 24,600 euro dëmshpërblim dhe kompensim.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të ish-prokurores Antoneta Sevdari nga Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit në vitin 2019, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e tjera. Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional” por theksoi gjithashtu se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk shërben për të hedhur poshtë në tërësi procesin e vetingut në Shqipëri.
“Gjykata konsideron se, në bazë të vlerësimit të përgjithshëm të rrethanave të veçanta të çështjes, shkarkimi i aplikantes, bazuar në thelb në faktin se ajo nuk ishte në gjendje të provojë se bashkëshorti i saj pagoi taksat në një pjesë të të ardhurave nga aktivitete të ligjshme në dy dekadat e shkuara dhe në mungesë të ndonjë indicieje për keqbesim apo dhunim të qëllimtë nga vetë aplikanti, ishte disproporcional me synimet e ligjshme të procesit të vetingut,” thuhet në vendimin e gjykatës të publikuar të martën.
Për rrjedhojë, gjykata gjeti shkelje të nenit 8 të konventës “E drejta për jetë private”, ndërkohë që rrëzoi pretendimet e tjera të Sevdarit për shkelje të neneve 8 dhe 13 të konventës.
Gjykata rekomandon se mënyra e duhur për rivënien në vend të padrejtësisë së gjetur është rihapja e procesit në rrugët e brendshme.
“Sa i përket masave individuale që duhet të jenë më të përshtatshme për t’i dhënë fund dhunimit të gjetur në rastin konkret, Gjykata rithekson se, në shumë raste ku procedimet vendëse janë gjetur në shkelje të Konventës, është parë si forma më e përshtatshme e riparimit për dhunimin të jetë rihapja e procedimit të brendshëm,” thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata e Strazburgut ka shqyrturar deri më sot disa kërkesa të ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga procesi i vetingut në Shqipëri me rezultate mikse. Disa nga çështjet janë rrëzuar, ndërsa dy raste janë konsideruar si ankime të bazuara. Gjykata theksoi në vendimin e Sevdarit se ky gjykim nuk vlen për të rrëzuar në tërësi procesin e vetingut dhe as për t’i dhënë të drejtë gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë të shkarkuar.
“Gjykata vëren se ka gjetur shkelje të të drejtës së aplikantes për respektim të jetës së saj private nën nenin 8 të Konventës për shkak se shkarkimi i saj, në rrethanat specifike të rastit, nuk ishte proporcional me synimin e ligjshëm të ndjekur,” shkroi gjykata në vendim.
“Gjithsesi, gjykata nuk vlerëson se funksionimi i procesit aktual të vetingut në Shqipëri në përgjithësi, bazuar në Kushtetutën dhe në Ligjin e Vetingut, shfaq ndonjë problem të tillë sistemik pajtueshmërie me kërkesat e konventës,” shkruhet më tej në vendim.
Gjykata shton se për këtë arsye, ajo “nuk e konsideron të nevojshme ndërmarrjen e ndonjë mase të përgjithshme për t’i dhënë fund shkeljes në fjalë”.
Po të martën, Gjykata e Strazburgut hodhi poshtë një ankim të ngjashëm të ish-prokurores Besa Nikëhasani. Kjo e fundit u shkarkua për pasuri të pajustifikueshme dhe pretendoi gjithashtu shkelje të nenit 8.
Gjykata e Strazburgut i akordoi Sevdarit 13,600 euro dëmshpërblim për humbjet financiare të pësuara nga shkarkimi si prokurore ndërsa i akordoi edhe 6 mijë euro të tjera dëmshpërblim për dëme jopasurore. Sevdarit iu caktuan edhe 5 mijë euro kompensim për kostot e procesit./BIRN