Ish-kryeministri Sali Berisha rikthehet sot në Kuvend pas 11 muajsh, duke marrë pjesë në seancën ku do të votohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2025.
Në seancën e sotme, që konsiderohet ndër më të rëndësishmet e aktivitetit parlamentar, Berisha rikthehet pas gati 1 viti mungesë për shkak të arrestit shtëpiak dhe akuzave në dosjen e aferës “Partizani”. Buxhetin prej 8.2 mld eurosh e ka konsideruar si draftin e vjedhjeve të mëdha. Tashmë në liri, Sali Berisha, teksa një ditë para njoftoi edhe 2 amendamente në buxhet me firmën e tij, paralajmëroi dje rikthim të fuqishëm në Parlament.
“Ju jeni dëshmitarë se si dritarja zëvendësoi Parlamentin dhe Edi Rama në fjalimet e tij shprehte vrerin e papërmbajtur ndaj dritares. Kështu që unë kthehem nesër në Parlament, në vazhdim të betejës sime gjer në fitore. Kjo është!”, shprehet lideri demokrat.
Ai njoftoi se do të dalë në takime në të gjithë diasporën për të kërkuar votën për PD-në.