Fredi Bejleri, fituesi i zgjedhjeve te 14 majit në Bashkinë e Himarës pritet që në ditët në vijim të dalë edhe përpara gjykatës së posaçme për tu njohur me aktet dhe masën që togat e zeza të posaçme do caktojnë ndaj tij. Burime pranë SPAK , bëjnë me dije se nuk kanë mbërritur ende aktet nga Vlora.
Sapo një gjë e tillë të ndodhë, pritet që të hidhet shorti për gjyqtarin që do shqyrtojë dosjen dhe caktimin e masës. Kujtojmë se meditën e së shtunës, gjykata e Vlorës la në qeli pa afat kandidatin për Bashkinë e Himarës nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri, i cili në zgjedhjet e së dielës doli dhe fitues.
Ai u vu në pranga mesnatën e të premtes, i akuzuar se është përfshirë në korrupsion zgjedhor. Gjatë seancës, gjykata e qytetit bregdetar vendosi të dërgojë dosjen e tij në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si prokuroria kompetente për hetimin e korrupsionit në zgjedhje. Pas mbërritjes së akteve në këtë institucion, pritet që ai të dalë sërish përpara gjykatës së posaçme.
Referuar hetimeve prokuroria e mbështeti kërkesën e saj për caktimin e masës “arrest në burg” pa afat në vëzhgime dhe përgjime të nisura që në 8 Maj, të cilat ia dorëzoi gjykatës. Bashkë me Belerin në pranga u vu edhe Pandeli Kokaveshi, si bashkëpunëtor në tentativën për të blerë vota. Edhe ky i fundit do dalë përpara gjykatës së posaçme kur aktet te mbërrijnë në SPAK. Hetimet nisën pas një referimi të marrë në rrugë operative se shtabi elektoral i Belerit ishte përfshirë në shit-blerje të votave për zgjedhjet e 14 Majit.
Hetuesit përdorën një person të infiltruar për të provuar dyshimet dhe rezultoi se pas bisedës së bërë nga ky shtetas me Belerin, u vendos që për 13 persona, do të paguheshin nga 5 mijë lekë secili per të dhënën votën. Shuma e parave prej 40 mijë lekësh i është dhënë personit të infiltruar në ambientet e tualetit të lokalit ku u bë takimi.