Brazil, 15 qershor 2014 – E diela ka qenë dita e “shqiptarëve” në Botëror.
Zvicra ka fituar në ndeshjen e parë në Botërorin 2014. Helvetikët mposhtën Ekuadorin, në kuadër të Grupit E, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma.
Valon Behrami, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka kanë luajtur nga minuta e parë, ndërsa Admir Mehmedi u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë.
Ishte pikërisht sulmuesi nga Gostivari ai i cili e shënoi golin e parë për ekipin e Ottmar Hitzfeld, falë golit të realizuar në minutën e 48-të me kokë, pasi mori një top nga e majta nga Rodriguez.
Fillimisht, ekuadorianët kishin kaluar në avantazh përmes sulmuesit Enner Valencia, që po ashtu shënoi me kokë.
Haris Seferovic i solli tri pikë Zvicrës, falë golit të shënuar në minutën e fundit, pasi e mori një top nga Behrami, i cili paraprakisht e shpëtoi një gol.
Duhet theksuar se në këtë ndeshje nuk u paraqit fare mesfushori tjetër shqiptar, Blerim Xhemajli.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





