Një lajm i gëzueshëm për opozitën shqiptare. Mbi 40 portale afër saj i kanë bërë jehonë entuziaste përfshirjes së Vatikanit në politikën e ditës. 

Sikurse është bërë e njohur, Papa Françesku ka emëruar ipeshkëv imzot Gjergj Metën, teksa, në shtator 2017, në katedralen e Rrëshenit, u bë ceremonia e “Shugurimit Ipeshkvor” të tij.

Edhe pse katolikët, sipas Censusit 2011, përfaqësojnë 10 për qind të popullsisë, i emëruari nga Selia e Shenjtë si ipeshkv i dioqezës së Rrëshenit imzot Gjergj Meta ka bërë një deklaratë politike në rrjetet sociale:

“A po shkon Shqipëria drejt një autokracie? Këtë nuk e di, ndoshta po ndoshta jo. Por me siguri, pas 30 qershorit, jemi në pikën më të lartë të një absurdi shoqëror, paprecedent në historinë e demokracisë. Gjykatat thjesht po legalizojnë këtë absurd”.

Edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë para disa vjetësh është përfshirë në politikën e ditës, ndonëse ortodoksët, sipas Censusit 2011, përfaqësojnë 6,75 për qind të popullsisë. 

Kurse Komuniteti Mysliman Shqiptar, që përfaqëson 56,70 për qind të popullsisë, sipas Censusit 2011, nuk është shprehur mbi politikën e ditës.

Kushtetuta dhe ligji për komunitetet fetare i ndalojnë këto të fundit të ndërhyjnë në politikën e ditës. Por Mëkëmbësi i Papës në katedralen e Rrëshenit imzot Gjergj Meta ka treguar trimëri, duke mos pyetur për asgjë dhe për askënd.

Th.M.