Teuta u rikthye te fitorja pas 13 ndeshjesh pasi mundi pastër në shtëpi Skëndërbeun me rezultatin 3-0. Një dopietë e Klejdi Dacit dhe një finalizim i Peposhit i dhanë tri pikë të arta të besuarve të Martinit që u larguan nga vendi i fundit në tabelën e klasifikimit duke parakaluar Kukësin dhe duke shkuar në kuotën e 21 pikëve. Një pritje e gjatë, por mëse e vlefshme për durrsakët që tanimë do të kërkojnë të hedhin pas krahëve ecurinë negative.
Kualifikimi në Kupën e Shqipërisë po ndaj Skëndërbeut e rriti së tepërmi besimin, ndërsa në fazën çerekfinale do të përballen ndaj Tiranës.
Klejdi Daci është shfaqur protagonist për Teutën në javët e fundit dhe dopieta ndaj korçarëve në kampionat ishte konfirmimi më i mirë. 5 gola të shënuar në Superiore dhe 1 në Kupë, 24-vjeçari po përjeton sezonin më të mirë personal deri më tani, teksa ka shërbyer si një pikë e rëndësishme referimi në majën e sulmit duke kontribuar në momentet më të rëndësishme. Testi i radhës për Teutën është Vllaznia në ‘’Loro Boriçi’’. Kujtojmë se dy sfidat e para mes dy skuadrave në këtë sezon janë mbyllur me fitore të ekipit shkodran.