Patinazhi artistik, një sport që në të kaluarën është përballur shpeshherë me akuza për korrupsion të gjyqtarëve, u vu sërish në qendër të polemikave pas fitores së çiftit francez Laurence Fournier Beaudry dhe Guillaume Cizeron. 

Kritikat më të forta erdhën nga Christine Brennan, një prej gazetareve më të njohura të lëvizjes olimpike. Menjëherë pas shpalljes së fituesve, Brennan njoftoi se po përgatiste një shkrim të ashpër, pasi sipas saj patinazhi artistik po dërgonte “një mesazh të tmerrshëm për viktimat e abuzimit seksual, si edhe për prindërit dhe fëmijët që duan të praktikojnë një sport të sigurt”. Pak minuta më vonë, në gazetën amerikane “USA Today” u publikua artikulli ku ajo rikujtonte faktet, të cilat ishin hetuar më parë nga e njëjta media.

Në shkrim dënohej fakti që medalja e artë i shkoi një ekipi francez që, sipas saj, u formua “vetëm falë hetimit dhe pezullimit të mëvonshëm të një abuzuesi të dyshuar seksual, Nikolaj Sorensen, i cili është mbështetur vazhdimisht dhe publikisht nga ky ekip”. Patinatorja Fournier Beaudry, partnerja e Sorensenit, iu bashkua Cizeronit rreth një vit më parë, pasi Sorensen u pezullua për të paktën gjashtë vjet për një agresion të dyshuar seksual ndaj një patinatoreje amerikane në vitin 2012.

“Pezullimi i tij u anulua në vitin 2025”, shkruan Brennan, “por çështja është ende në rishqyrtim, çka do të thotë se pezullimi mund të rikthehet”. Sipas saj, Sorensen ishte i pranishëm në arenë të mërkurën në mbrëmje. Kur ekipi francez e pa në tribunë, ata e përshëndetën me entuziazëm nga podiumi, ndërsa ai iu përgjigj me një fishkëllimë. /PANORAMASPORT.AL