Bajern Mynih ka pësuar humbjen e parë në kampionat që në javën e tretë të tij, duke mos arritur të përfitojë nga hapi i gabuar i skuadrave me të cilat kishte ndarë kreun në fillimin e edicionit.
Meritën për këtë humbje e ka padyshim loja e skuadrës së Hofenhajm, e drejtuar nga Julian Nagelsman, por edhe një futbollist i ekipit U-14 të këtij klubi. Në minutën e 27 të ndeshjes, futbollisti i U14 të Hofenhajm, Umut Tohumçu, i cili ishte një nga djemtë që mbledhin topat jashtë fushës, i dha shpejt sferën Kramariç.
Ky i fundit bëri një rivënie anësore të shpejtë, duke ia kaluar sferën Uth i cili nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e bavarezëve golin e avantazhit duke përfituar nga hutimi i Martinez.
Më pas, Uth realizoi edhe golin e dytë në minutën e 51-të, për t’i dhënë suksesin e rëndësishëm 2-0 skuadrës së Hofenhajm, e cila tregoi se mund të luante si e barabartë përballë gjigandëve bavarezë.





