30gusht 2015 – Teuta arrin një tjetër fitore në kampionat dhe merr kreun renditjes. Ekipi i Gugash Maganit mundi Vllazninë me rezultatin 2 – 0 në përballjen e luajtur në stadiumin “Niko Dovana”. Futbollistët durrsakë u treguan më të saktë në aksionet e tyre. Goli i parë erdhi në minutën e 26’ me autor Erand Hoxhën, ndërsa Artur Magani justifikoi besimin e babait të tij që drejton ekipin durrsak këtë sezon duke shënuar golin e dytë në minutën e 51’.
Në futboll ndodh jo shpesh, që babai të jetë trajner ndërsa djali futbollist, cka e bën disi të vështirë ndërtimin e marrëdhënieve profesioniste në një skuadër futbolli. Sepse në cdo moment ndihesh i paragjykuar nga tifozët, madje edhe nga vetë lojtarët e skuadrës. Ky është rasti i Gugash dhe Artur Maganit, trajnerit dhe sulmuesit të Teutës, dy fituesit më të mëdhenj të sfidës me Vllazninë në “Niko Dovana”.
Pas ndeshjes së fituar me Flamurtarin në Vlorë, 50-vjecari u shpreh se djali i kishte përligjur besimin që i kishte dhënë, por ende kishte shumë punë për të bërë.Një javë më pas, vjen dhe goli i parë me Teutën, finalizim që vulosi fitoren e merituar të djemve të detit. Një festë e cmendur e 21-vjecarit, si për të thënë se vendin e titullarit e kishte merituar dhe askush nuk mund të mendojë se eshte pjesë e 11-shes bazë vetëm sepse quhet Artur Magani. Mirëpo një gol nuk do të thotë asgjë, për Maganin senior, Arturi nuk i ka përmbushur ende të gjitha pritshmëritë e tij, pasi ka potencial për t’u përmirësuar.Sigurisht që jam i gëzuar që djali im shënoi, por kam ende rezerva për paraqitjet e tij. E them këtë sepse ka shumë potencial për t’u zhvilluar më shumë si futbollist. Duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të punojë fort për të arritur aty ku unë mendoj se mund të arrijë.Bastin me paragjykuesit, Magani e ka fituar, tani i mbetet të fitojë bastin me veten, për ta parë të birin një sulmues të spikatur të Superiores.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/