24 nëntor 2015 – Përfundon aventura e Marcelo Troisit te Kukësi. Trajneri brazilian është shkarkuar nga drejtimi i skuadrës pas disfatës 1-0 të pësuar nga Teuta në “Niko Dovana”. Timonin në skuadrën verilindore e merr përkohësisht Hasan Lika, i cili mban rolin e Drejtorit Teknik. Lika tanimë do të drejtojë Kukësin deri në gjetjen e një trajneri të ri.

Fitorja ndaj Skënderbeut ka mjaftuar për ta zgjatur vetëm për një javë eksperiencën e teknikut brazilian në stolin e Kukësit, pasi humbja me Teutën ishte një konfirmim i mëtejshëm i dobësisë së skuadrës verilindore në transfertë, me Kukësin që në këtë kampionat nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje jashtë mureve mike.

Fitoret jashtë shtëpisë janë një kusht i domosdoshëm për një skuadër që të mbajë statusin e pretendentes për titullin dhe me 20 pikë në 12 javë të grumbulluara dhe vendin e pestë në klasifikim, durimi i Presidentit Safet Gjici ka sosur me numrin një të klubit që ka vendosur për të ndryshuar kurs, duke i dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin që mori drejtimin e skuadrës në verë duke kaluar dhe dy turet paraeliminatore në Europa League.

Tanimë skuadra i besohet një emri me peshë në trajningun shqiptar, Hasan Likës, i cili gjithsesi është i përkohshëm në stol, pasi në kampin verilindor janë duke shqyrtuar alternativat për gjetjen e një trajneri.

/portali DurresLajm/