Tiranë, 9 shtator 2014 –  “Shqipëria është një skuadër me një tifozeri të zjarrtë”. Kjo është fjalia që përmbledh paralajmërimin që trajneri Morten Olsen u bën djemve të tij rreth një muaj përpara sfidës së dytë të grupit I mes kuqezinjve të De Biasit dhe skuadrës së Danimarkës që e nisi fushatën eleminatore me një sukses të vuajtur ndaj Armenisë. Fillimisht Olsen përqëndrohet te humbja e papritur e Portugalisë në Aveiro. “Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë për mënyrën se si shkoi ndeshja e Portugalisë sepse ata janë kundërshtarët tanë direktë. Gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse zakonisht në ndeshjet e para Portugalia bën hapa falsë por më pas fillon ngjitjen”. 

Por nëse luzitanët kanë tre pikë në garën eleminatore për Euro 2016 është Shqipëria ajo që përfitoi dhe kërkon surprizën pikërisht kundër danezëve. “Shqipëria është një vend me njerëz të apasionuar që u zien gjaku. Do të luajmë në një stadium të ri që besoj se do të mbushet plot dhe e dimë shumë mirë se sa zhurmë mund të bëjnë. Ne nuk duhet të trembemi por të frymëzohemi për të dhënë maksimumin”. Edhe pse fitorja e kuqezinjve konsiderohet si surprizë nga shumë njerëz, nuk e mendon kështu tekniku danez. “E pamë edhe në Kupën e Botës që mes skuadrave të mëdha dhe të vogla ka pak diferenca. Tani edhe ekipet e vogla e kanë rritur ndjeshëm nivelin e tyre duke afruar trajnerë ekspertë dhe lojtarë që aktivizohen në kampionate prestigjoze”.

Në vijim, 65-vjeçari bën edhe një analizë për shkaqet e rritjes së skuadrave të ashtuquajtura të vogla si Shqipëria në rastin konkret. 

 “Të gjithë kanë një ide të qartë se si do të luajnë futboll. Ka qenë më e lehtë për të gjetur një recetë të suksesshme për të mundur ekipe të tilla por tani të gjithë kanë filluar të mendojnë edhe për fazën mbrojtëse prandaj besoj se është shumë e vështirë që të arrish rezultate pozitive”.

Takimi i Elbasanit do të zhvillohet në datën 11 tetor. Në përballjet e mëparshme, Danimarka ka fituar 6 nga 8 prej tyre.

Serbia është një tjetër rival i fortë në grupin tonë kualifikues. Ajo luajti miqësore me Francën (barazoi 1-1) kur kuqezinjtë tanë konsumuan suksesin mbresëlënës në Aveiro. I njohur me befasinë që bëri Shqipëria në kualifikuesen e parë, trajneri holandez ka ndryshuar shumë shpejt mendim për të besuarit e De Biazit: “Fitorja e Shqipërisë në transfertë kundër Portugalisë vetëm dëshmon se kemi të bëjmë me një përfaqësuese cilësore, por është edhe dëshmi e qartë se në grupin tonë nuk ka ekipe të dobëta dhe këtë duhet ta kemi të qartë të gjithë. Mua nuk më ka befasuar ky rezultat.”

Kujtojmë se pak ditë më parë, për mediat serbe, trajneri Advokat e kishte cilësuar Shqipërinë si një kundërshtar jo problematik. “Besoj se skuadra favorite për të kaluar më tej është Portugalia, ndërsa ne dhe Danimarka kemi shanse të barabarta për të siguruar një vend në Europian, gjithashtu dhe Armenia është një skuadër shumë e mire, ndërsa Shqipëria është ekipi më i dobët i grupit, ndaj së cilës të gjithë do të përpiqen të marrin pike,” – ishte deklarata e trajnerit të Serbisë, që e nxeh akoma më shumë ndeshjen e 14 tetorit në Beograd.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/