Duket se këtë herë shpalosja e programit elektoral të Partisë Socialiste do të bëhet në kongresin e gruas të kësaj force politike, në datë 20 tetor. Kur na ndan më shumë se një muaj nga ky kongres, kryetari Rama mblodhi të gjitha deputetet e partisë së tij për të rrahur mendimet jo vetëm mbi mënyrën e organizimit të kongresit, por edhe për të thithur mendimin e tyre mbi strategjitë dhe platformën që duhet përdorur në fushatë për të thithur sa më shumë elektorat femëror.
Në botë, shpesh ka rezultuar se udhëheqësi që gëzon më tepër mbështetje në rradhët e publikut femëror ka rezultuar fitues. Një shembull tipik i kësaj është ish presidenti amerikan Bill Klinton, i cili gëzonte një admirim të veçantë nga ana e elektoratit femëror, kjo dhe për shkak të karizmës së fortë të tij. Roli i gruas në politikë ka ardhur duke u rritur së tepërmi vitet e fundit.
Pas fitores së 4 viteve më parë të presidentit aktual Barak Obama në media u përfol shpesh se qëndronte gruaja e tij Mishel, që me elokuencën e fjalimeve të saj gjatë fushatës si dhe me admirimin që arriti të merrte nga rradhët e grave e vajzave amerikane u kthye në një shpatull të fortë për burrin e saj.
Edhe në fushatën e këtij viti, në fjalën që mbajti në konventën e demokratëve, ku u kërkoi amerikanëve të rizgjedhin bashkëshortin e saj, Mishel preku jo vetëm publikun, por edhe analistët, që folën me superlativa për fjalimin e saj. Qoftë në pushtet apo pas kuintave gratë kanë treguar se dinë të jenë po aq të forta sa burrat dhe të arrijnë të përballojnë me sukses pritshmëritë që njerëzit kanë ndaj tyre.
Takimi i gjatë i Ramës me deputetet femra në fundjavë, përveç aspektit organizativ për kongresin që po afron ka pasur në rradhë të parë si qëllim kryesor rrahjen e mendimeve për ta afruar sa më shumë elektoratin femëror pranë së majtës shqiptare. Me mesazhet e tij të shpeshta në rrjetet sociale Rama ka treguar se kërkon të mbajë profilin e një politikani modern, duke përdorur këtë taktikë të kopjuar nga lider të tjerë botërorë.
Para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të dy viteve më parë ai lidhi kurorë me zonjën Linda Rama, për t’u paraqitur para elektoratit në një profil më ndryshe, atë të bashkëshortit. Por ajo që vlen të theksohet është se në këto dy vite bashkëjetesë zonja Rama ka shfaqur deri tani një profil të ulët, duke u kufizuar vetëm me shoqërimin e bashkëshortit të saj në pritje të ndryshme apo udhëtime jashtë shtetit.
Përveç intervistave të para në media në kohën para dhe pas martesës zonja Linda ka ndjenjur larg vëmendjes së kamerave dhe gazetarëve. Se si do të jetë performanca e saj gjatë fushatës elektorale këtë nuk mund ta dimë ose mund të hedhim vetëm hipoteza, por ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se Rama ka ditur gjithnjë t’u krijojë hapësira të shumta femrave të angazhuara në politikë apo shoqërinë civile.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare u promovuan shumë figura femrash gati-gati të panjohura për publikun shqiptar. Por ndërsa në rradhët e PD-së, figura e nënkryetares Jozefina Topalli i shfokuson të gjitha femrat e tjera demokrate, në rradhët e PS-së është vënë re një demokratizim shumë më i madh në këtë drejtim.
Krahas figurave tashmë historike në PS si Arta Dade apo Valentina Leskaj, kanë qenë mjaft aktive në media edhe deputete më të reja si Mimi Kodheli, Ermonela Felaj, Olta Xhaçka etj apo figura që kanë ardhur nga forumi rinor si Megi Ajtyresa apo kryetarja aktuale e FRESSH Elisa Spiropali, që erdhi nga rradhët e “Mjaft”.
Megjithëse nuk ka gëzuar ndonjë reputacion të madh në rradhët e publikut femëror, kjo edhe për shkak të së kaluarës së tij (divorci i shumëpërfolur me aktoren Matilda Makoçi apo ndarja me prezantuesen e njohur Rudina Magjistari) Rama i ka kushtuar një rëndësi të veçantë prezencës së gruas në poste drejtuese qoftë kur drejtonte bashkinë e kryeqytetit, qoftë edhe si kryetar partie.
Mesa duket, pamundësinë e tij për të qenë një figurë e adhuruar apo e parapëlqyer nga elektorati femëror ai mundohet ta kompensojë dhe ta ekuilibrojë me shtimin e numrit të grave dhe vajzave që promovon partia e tij.