Presidenti i Interit, Bepe Marota iu është përgjigjur deklaratave të pronarit të Milanit, Kardinale, i cili ka thënë se strategjia e kuqezinjve nuk ka lidhje me atë të Interit që ka falimentuar. “Nuk do të doja të flisja për këtë temë, por tani mendoj që është e nevojshme të përgjigjem meqë ju më pyetët. Për mendimin tim, deklaratat e tij janë jashtë çdo logjike dhe pa respekt në prestigjin dhe imazhin e klubit. Mendoj se Kardinale ka krijuar shumë konfuzion me deklaratat e tij. Është e vërtetë që në vitet e mëparshme, aksioneri ynë kryesor ka pasur vështirësi ekonomike. Por prej disa vitesh ai kërkoi ndihmën e ‘Oaktree’ që sot është pronari i klubit dhe ka marrë kontrollin e gjithçkaje.
Menaxhimi i Interit është diçka shumë ndryshe. Ne e respektojmë Fair Play-n financiar dhe çdo rregullore tjetër që ka federata në aspektin ekonomik. Ne kemi kaluar nga një bilanc me humbje 246 milionë euro në një humbje 46 milionë euro. Gjatë kësaj kohe kemi fituar titullin kampion dhe Superkupën. Dhe meqë jemi në periudhë festash le të bëjmë pak ironi: Kemi fituar yllin e dytë në fanellë dhe jemi skuadra e vetme në Milano që e ka atë”, ka thënë Bepe Marota. Ai gjithashtu foli edhe për Simone Inzagin. “Rezultatet flasin qartë. Ai është përfshirë shumë mirë në klubin tonë dhe ka treguar se është një profesionist i vërtetë. Shpresoj dhe besoj që bashkëpunimi ynë mund të zgjasë shumë dhe jam i bindur për këtë. Kemi baza të forta për të vazhduar punën dhe për të synuar të shkojmë deri në fund të çdo kompeticioni”, përfundoi numri një i zikaltërve.