Fixhi, shteti ishull në Oqeanin Paqësor po përgatitet për një ciklon të fuqishëm, që javën e kaluar goditi Samoan, duke lënë të paktën tre persona të vdekur, disa të tjerë të zhdukur dhe mijëra pa shtëpi,- thotë Zëri i Amerikës.

Zyrtarët thanë sot se janë ngritur dhjetra qendra evakuimi në veri të ishullit, para erërave me shpejtësi 300 kilometra në orë, që po i afrohen këtij vendi të Paqësorit. Të enjten cikloni Evan goditi ishullin e Samoas. Zyrtarët thanë se mijëra banorë vazhdojnë të jenë pa energji elektrike dhe ujë, pasi shtëpitë u dëmtuan rëndë, ose u shkatërruan.

Rreth 4 mijë persona jetojnë në strehime të përkohshme. Si Australia, edhe Zelanda e Re, janë zotuar se do t’u vijnë në ndihmë personave të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.