Humbet Botërorin pasi dëmtoi rëndë kaviljen duke festuar golin e barazimit të përkohshëm të Sturridge. Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë futbollist, por për fizioterapistin e Anglisë, Gary Lewin. Ndërkohë që skuadra italiane por përgatitej për të nisur lojën nga mesi i fushës, kamerat u fokusuan pranë stolit të Anglisë me të gjithë pjesëtarët e stafit mjekësor që po i vinin në ndihmë kolegut të tyre, i cili pasi ishte hedhur përpjetë nga gëzimi e kishte mbështetur keqazi këmbën mbi tokë.

Mjekët arritën t’ia vinin në vend kaviljen e nxjerrë, por më pas ai u shoqërua jashtë me barrelë, pasi dëmtimi ishte i rëndë. Lewin i cili që nga viti 1980 deri më 2008 ka punuar tek Arsenali para se t’i bashkohej përfaqësueses së “Tre Luanëve”, ka prentouar biletën për në Londër, pasi për të Botërori përfundoi ende pa nisur mirë. Në 2007 fizioterapisti i Anglisë ishte protagonist i një episodi shumë të rëndësishëm, pasi në finale të Kupës Arsenal – Chealsea ishte i pari që i erdhi në ndihmë Xhon Territ, të cilit i hyri gjuha brenda pas një përplasjeje me Diaby. Lewin ishte vendimtar edhe në shërimin e Eduardos, pas incidentit të tmerrshëm të 23 Shkurtit 2008.