FIER, 25 maj 2013– Fjalët e fundit që një tregtar ambulant i tha bashkëshortes para se të vetëvritej

“Piroja u largua, pasi diskutoi për pamundësinë e shlyerjes së borxhit prej 150 mijë lekësh”

“Të dua shumë, por nuk mund të jetoj më me borxhe … !”. Pas kësaj, bashkëshortja ka dëgjuar vetëm një klithmë nga ana tjetër e telefonit dhe përplasjen e aparatit celular në tokë, duke mbetur pa frymë nga fjalët e fundit që i ka thënë personi me të cilin kishte lidhur martesë vite më parë prej nga gëzonin së bashku dy fëmijë. Historia tragjike i përket familjes së Piro Çorapes, banor i lagjes “15 Tetori” të Fierit, i cili ka vendosur t’i japë fund jetës pasditen e të enjtes, duke lënë gruan të ve dhe dy fëmijë jetimë, pasi nuk kishte mundësi të lante borxhet që kishte marrë.

Dëshmia

Ka qenë mbrëmja e së enjtes, kur bashkëshortja e 37-vjeçarit Piro Çorape ka nxituar të shkojë në Komisariatin e Policisë së Fierit, ku ka shprehur dyshimet e saj, se ai mund të ishte vetëvrarë. Ajo u ka treguar punonjësve të policisë se Piroja ishte larguar nga banesa i menduar, pasi kishte diskutuar për pamundësinë e shlyerjes së një borxhi prej rreth 150 mijë lekësh të reja. Më tej, ajo ka shtuar se burri e kishte telefonuar dhe i kishte shprehur një frazë lamtumire, të cilën në fakt, ai e ka ligjëruar teksa ndodhej para lakut të litarit që e bëri nyje për t’i dhënë fund jetës në moshën 37-vjeçare. “Piroja kishte disa kohë që shiste paketa cigaresh dhe sende të tjera për llogari të një të njohuri të tij. Për t’u spostuar nga një vend në tjetrin përdorte motorin e punëdhënësit. Në fakt kishte arritur të shiste një pjesë të mirë të mallit. Më kishte thënë se kishte arritur të bënte fillimisht një xhiro prej rreth 90 mijë lekësh të reja, e më pas një sasi tjetër, e po i afrohej shumës së parave të mallit që kishte marrë për të shitur. Di që punëdhënësi e paguante Piron. Por sot, ai më tregoi se kishte ardhur koha që të shlyente paratë e xhiros. Këto të holla nuk i kishte më, pasi një pjesë i kishte shpenzuar, ndërsa kishte larë edhe disa borxhe të tjera më të vogla. Më tha se duhej që të shlyente borxhin prej 150 mijë lekësh të reja dhe nuk kishte se ku t’i gjente. Ndonëse dukej i menduar, doli edhe dje pas mesdite të punonte. Nga pasditja më mori në telefon dhe ajo që më tha m’u duk e pazakontë, ashtu si edhe zëri i tij që i dridhej. ‘Të dua shumë, por nuk mund të jetoj, pa i larë borxhet, më vjen turp’. Kështu më tha dhe dëgjova një britmë nga ana tjetër e telefonit dhe një zhurmë kërcitjeje. U hutova e nuk dija ç’të mendoja, dyshova se do të kryente ndonjë akt në dëm të vetes, pasi ka qenë gjithmonë njeri i ndjeshëm. E telefonova prapë, por ndonëse zilja binte pareshtur, ai nuk e ngrinte celularin. Pasi e mora disa herë në telefon e nuk m’u përgjigj, dyshova mos kishte kryer vetëvrasje dhe erdha të kërkoj ndihmën e policisë për ta gjetur para se të ishte vonë”, mësohet të jetë shprehur para hetuesve bashkëshortja e 37-vjeçarit Çorape.

Kërkimet

Menjëherë policia është vënë në kërkim të 37-vjeçarit duke krehur gjithë rrethinat e qytetit të Fierit. Dje në mesditë, banorë të zonës kanë konstatuar trupin e pajetë të 37-vjeçarit Çorape, të varur në një pishë në pyllin e Semanit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe ekspertimi i trupit të pajetë të 37-vjeçarit prej mjekoligjorit është konstatuar se ai ka kryer vetëvrasje në kushte depresioni. Sipas burimeve të bluve, ai ka përdorur një litar për t’u vetëvrarur në një pishë. Viktima dhe bashkëshortja e tij punonin prej disa vitesh si shitës ambulantë në qytetin e Fierit dhe në fshatrat përreth. Me punën që bënin, ata kishin arritur që të siguronin jetesën e tyre dhe të dy fëmijëve për disa vite, por kohët e fundit, shitjet ishin bërë më të pakta duke e bërë të pamundur përballimin e shpenzimeve. Për këtë arsye, ata ishin futur në borxhe dhe kjo situatë ia ka bërë të pamundur jetën 37-vjeçarit Piro Çorape, i cili i ka dhënë fund jetës pasditen e së enjtes, duke u vetëvarur në një pishë në pyllin e Semanit.

/Shqip/