9 dhjetor 2014 – Vëllai i këngëtarit Floran Kondi, Albani, ka treguar me dhimbje fjalët e fundit të Dr. Florit para se ai të mbyllte sytë përgjithmonë.
“Po shoh Zotin, por fluturoj tek ai”. Këto ishin fjalët e Florit, që ende duken të pabesueshme për vëllanë e tij.
“Ende më duket e pabesueshme, por realiteti është ky dhe duhet të përballemi edhe me këtë humbje”, ka deklaruar ai në një intervistë për Top Channel.
“E nëse koha do të kthehej pas, sigurisht që do të kishin ndryshuar shumë gjëra. Gjërat ndodhin për një arsye, dhe një ditë do të merret shpjegim edhe për to”, shprehet Albani.
Por gjëja që ai do të kishte bërë ndryshe në çastet e dhimbshme, do të ishte “gjithçka për ta mbajtur atë në jetë”. Albani ka kujtuar momentet e bukura dhe kujtimet e paharrueshme, pasi kanë qenë vëllezër shumë të lidhur, brenda e jashtë shtëpisë.
“Kam kujtime të tij që nga fëmijëria e deri në ditët e fundit, pasi ai ishte një vëlla që falte shumë dashuri nga vetja. Këshillat e tij kanë qenë tepër të vlefshme si në aspektin personal, edhe atë artistik. Ai kuronte gjithmonë krijimtarinë time, por njëkohësisht më linte edhe shumë hapësira në krijimtarinë e vet”.
Momentet më të bukura prej tij janë të shumta, si familjare, edhe në aspektin skenik.
“Kujtoj se kur i thashë për herë të parë që dua të merrem me muzikë, më qeshi dhe më tha se nuk do të ndihmonte për asgjë, ose të bëhesha, ose jo. Më kontrollonte të isha gjithnjë i vërtetë me muzikën time. Një tjetër moment, ardhja në jetë e vajzës së tij Kaltrina, por edhe ai i të birit, Danielit. Ka qenë tepër i lumtur dhe i emocionuar”, vijon Albani.
Ai u shpreh se përgjegjësia e tij e vetme është përkujdesja për familjen, të cilën e konsideron si të tijën dhe vazhdimësia. Albani tha se duhet përkujdesje edhe për nënën, e cila si çdo nënë për fëmijën e saj, është lënduar shumë për humbjen e Florit.
Albani premton se do t’i rikthehet fuqishëm studios dhe muzikës, për të bërë publike të gjithë pjesën e papublikuar të punëve të tij. “Kënga mbi gjithçka” është hiti më i preferuar për Florin, jo vetëm si krijimtari, por sepse atë e ndiente me shpirt. Për të kënga ishte mbi çdo gjë tjetër.
“Shpesh kam qenë kritik ndaj tij, sepse ai ishte shumë i guximshëm për punët e veta, ndërsa unë gjithmonë isha më i tërhequr. E ndaloja shpesh dhe i thosha se mos po nxitohej, por bënte sikur më dëgjonte, e nga ana tjetër vepronte siç dinte. Shumë herë ka fituar ndaj meje”.
“Megjithatë, jeta nuk mbaron këtu. Jeta vazhdon dhe një ditë ne do të takohemi sërish. Mesazhi im për Florin, nëse po na dëgjon tani? Prehu në paqe aty ku je, sepse unë do të kujdesem që çdo gjë të shkojë në vendin e vet!”, përfundon Albani.
/Shekulli on line/





