Qindra besimtarë ortodoksë janë bërë pjesë e festës së përvitshme, duke kaluar natën pranë Manastirit të Shën Vlashit, në Durrës.

Nata e 14 gushtit dhe dita e 15 gushtit shënojnë kremtimin e ditës, kur Shën Maria ndërroi jetë. Besimtarët e shumtë ortodoksë, ndërsa kanë ndezur qirinj, janë lutur për më shumë fat dhe mbarësi në jetët e tyre.

Pas qëndrimit gjatë gjithë natës në Manastirin e Shën Vlashit, sot në mëngjes ata kanë marrë pjesë edhe meshën e shenjtë, që u mbajt me rastin e kësaj të kremte të rëndësishme të kalendarit kishtar ortodoks.

Katërmbëdhjetë gushti njihet ndër besimtarët e krishterë si “Pashka e Verës”, ndaj dhe në mbrëmje me qindra e mijëra ithtarë të Shën Mërisë i drejtohen Manasitirit të Shën Vlashit në Durrës për të kremtuar Fjetjen e së Të shenjtës Mari.

Janë të shumtë ata që kanë një afeksion me nënën e Zotit dhe vijnë ta kujtojë atë në Manastirin e Shën Vlashit.

Të ardhurit, shumë prej të cilëve edhe familjarisht me gra dhe fëmijë që kanë bujtur në manastir, vijnë nga rrethe të ndryshme dhe në jo pak raste u përkasin edhe besimeve të tjera fetare.