Kreu i ALUIZNI-t në Durrës Flamur Gjuzi shfrytëzoi ftesën e universitetit “Aleksandër Moisiu” për t'u bërë thirrje studentëve që të ndikojnë tek familjet e tyre për të legalizuar banesat. Gjuzi ishte i ftuar nga universiteti për një leksion të hapur me studentët në lidhje me librin e tij të fundit "Legalizimet, Durrësi mikpritësi i madh". Përpara studentëve, kreu i ALUIZNI-t tregoi idenë dhe përmbajtjen e librit, ndërsa u ndal tek rëndësia dhe ndikimi i madh që ka procesi i legalizimeve për qytetarët. Pjesa dërrmuese e studentëve në këtë leksion të hapur ishin banorë të qytetit bregdetar të Durrësit, ndaj Gjuzi përfitoi nga rasti për t'u bërë thirrje që të ndikonin tek prindërit dhe të afërmit e tyre për të kryer legalizimet e objekteve informale. 

I pyetur në lidhje me librin, ai tha se në brendësi të tij ndërthuren historia, realiteti, vështirësitë dhe sfidat e hasura në procesin e legalizimeve. 

Legalizimi i objekteve pa leje është një ndër problemet më të mprehta me të cilin përballen qytetarët, ndaj studentët e shfrytëzuan këtë rast për të folur përballë me kreun e ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi, i cili shpjegoi edhe praktikat e punës.

K.H.