Pas reagimeve në rradhët e Partisë Socialiste, deputeti demokrat Flamur Noka ka listuar shifra marramendëse të Edi Ramës në shërbim të miqve të vet.
Noka shkruan se Edi Rama i dha 15.6 milionë euro baxhanakut të tij dhe 17.3 milionë euro Papulit që i ndërtoi vilën në Surrel, ndërkohë që nuk ka guxim të përgjigjet, por fshihet pas Ulsiut dhe Fugës.
'Jep 15.6 milion euro nga parate e shqiptareve baxhanakut te tij,
Jep 17.3 milion euro Papulit qe i ndertoi vilen ne Surrel .
Kercenon gjyqtarin ne Strasburg qe ti hap rruge vjedhjes se pronave te shqiptareve dhe nga ana tjeter nuk ka guximin te pergjigjet por fshihet pas Ulsiut e Fuges.Ky eshte Edi Rama…..' shkruhet në statusin e plotë të Nokës.
Endri Fuga reagoi të mërkurën ndaj denoncimeve të Partisë Demokratike për tenderat që sipas saj, qeveria i ka dhënë miqve të Edi Ramës. “Dje njëri, sot tjetri. Përgojojnë njerëz dhe hedhin në eter shifra shumëmilionëshe, duke e bërë të kotë që të përgjigjesh për çdo budallallëk”, shkroi Fuga në Twitter.
“Kryeministri dhe qeveria janë të vendosur që të çojnë përpara reformat dhe të fokusojnë të gjithë vëmendjen te njerëzit dhe puna në shërbim të tyre”, shton Endri Fuga.
Ndërsa deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi të mërkurën se audio-përgjimi i Denar Bibës dhe Ledio Biankut i para 4 viteve është thjesht një “bisedë kafeneje mes miqsh”.
“Dje, prova që opozita preku fundin. Denar Biba, mik i Ledio Biankut, u zbulua pas 4 vitesh nga Basha si i dërguar i qeverisë për shantazh. Opozita e sotme, dje në pushtet, e di shumë mirë çështjen e pronave dhe detyrimet e qeverisë shqiptare, sipas vendimit-pilot të Gjykatës së Strasburgut. Qeveria e PD-së nuk bëri asnjë hap për rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut. PD ende nuk ka dhënë llogari për katrahurën me pronat në Shqipëri dhe gjen guximin për të kërkuar llogari për një bisede në kafe mes miqsh”, tha Manja.





