DURRËS, 28 TETOR 2014–  Flamuri i Kosovës është një ndër flamujt e ngritur ditën e sotme në Belgjikë në ceremoninë e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Aktivitetet do të zhvillohen në qytetet belge Njuport dhe Ipër. Në ceremoni marrin pjesë politikanë të lartë nga Evropa. Ceremonia organizohet nga mbretëria belge në krye me mbretin Filip dhe mbretëreshën Matilda, ndërsa do të marrin pjesë edhe një numër i madh i përfaqësuesve të familjeve mbretërore në mesin e të cilëve edhe princesha Beatriks nga Holanda, princesha Mejrem nga Maroku dhe duka i madh i Luksemburgut, Anri Albert Gabriel Feliks Mari Giom. Krahas familjes mbretërore të Belgjikës, mikëpritës i ceremonisë është kryeministri i Belgjikës, Sharl Mishel dhe nënkryetari dhe ministër i Punëve të Jashtme, Didie Render. Ndërkohë për shkak të vendosjes së simboleve të Kosovës presidenti serb refuzoi ftesën për t’iu bashkuar aktiviteteve.