Kualifikimi për në Kampionatin Evropian të Futbollit për kombëtaren shqiptare ishte një ëndërr e bërë realitet, pasi ky është një eveniment madhështor dhe këtë vit do të mbahet në Francë. Për të mirëpritur, por edhe gjithashtu për të prezantuar 24 ekipet kombëtare pjesëmarrëse në Euro 2016, 48 koshat e karuselit të madh të sheshit "La Concorde", 70 m i lartë, do të vishen me ngjyrat e Euro 2016-s, duke nisur nga e enjtja në mëngjes.
Në këtë promovim sigurisht që nuk ka munguar as flamuri shqiptar që është shfaqur mbi karuselin e madh në sheshin "La Concorde" në Paris. Shefi i karuselit, Marcel Campion ka thënë se nuk do të bëhet me ndriçim.
“Ne do të vëmë fytyrat e dy futbollistëve nga secila prej 24 ekipeve kombëtare, me flamujt e tyre”. Gjithashtu, një film për Euro 2016 do të shfaqet në ekranin e madh, vendosur rrëzë karuselit. Në sajë të kësaj veprimtarie promovuese, financuar nga bashkia e qytetit, karuseli është lejuar të qëndrojë në shesh deri në shtator.