05 mars 2015 –Flamurtari çon në prokurori takimin e javës së 25 të Kategorisë Superiore me Partizanin.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp klubi vlonjat bëri të ditur se duke marrë shkas nga ngjarjet e ndodhura në takimin Partizani-Flamurtari të fituar 2-1 nga të kuqtë, dhe duke pasur dyshime të forta se ky takim është trukuar nga disa futbollistë. Bordi Drejtues i Flamurtarit vendosi të denoncojë takimin Partizani-Flamurtari duke i vënë në dispozicion organit të akuzës të gjitha mjetet që klubi disponon, si ato filmike, edhe me analizën teknike të ndeshjes. në të njëjtën kohë me drejtësinë penale, Flamurtari ka vënë në lëvizje edhe atë sportive duke vënë në dijeni Komisionin e Etikës pranë FSHF për zbardhjen e kësaj cështjeje.

Në fund klubi garanton se asjë individ apo grup individësh nuk mund të hedhin baltë mbi Flamurtarin duke premtuar se kushdo që do të dalë i implikuar në këtë cështje nuk do të ketë mundësi të jetë më pjesë e futbollit shqiptar. Është ky qëndrimi zyrtar i klubit që ka vendosur të vënë në lëvizje organin e akuzës, duke i bërë dy ndeshjet në lupën e Prokurorisë së  Rrethit Vlorë që në fund të janarit nisi kryesisht hetimet për takimin Flamurtari-Teuta të përfunduar me fitoren 2-1 të vlonjatëve.

Reagimi i klubit ngjason me një amortizim të situatës pasi në orët e paraditës burime brenda klubit bënë të ditur për Sport Neës se ishte vendosur përjashtimi i nga skuadra i 4 futbollistëve  emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur, ndërkohë që një ditë më partë Administratori i Klubit Sinan Idrizi bëri një reagim shumë të ashpër duke premtuar se do të largonte përgjithmonë nga skuadra ato që i cilësoi "kolona të pesta" brenda saj.