Flamurtari është shpallur kampion i Shqipërisë në basketboll për femra për sezonin sportiv 2024-2025, pas fitores 63-53 ndaj Tiranës në finalen e tretë “play-off”, e zhvilluar sot në Vlorë.
Flamurtari triumfoi në të tri finalet e luajtura, duke fituar 3-0 në total kundër bardhebluve. Pavarësisht pritshmërive për një përballje më të fortë mes dy skuadrave më të mira në Shqipëri, këto finale konfirmuan dominimin e ekipit vlonjat.
Ndeshja e zhvilluar në Vlorë u dominua nga vendaset, të cilat u shkëputën me një epërsi të thellë 20-7 që në periodën e parë, dhe e mbajtën këtë epërsi deri në fund. Përpjekjet e Tiranës për të kthyer ndeshjen nuk ishin të mjaftueshme, pasi nuk arritën të përmbysnin rezultatin.
Shënuesja më e mirë për Flamurtarin ishte Ramos me 16 pikë, e mbështetur nga Thomas me 13 pikë dhe Johnson me 12. Nga ana tjetër, Ndogbwo u dallua për Tiranën me 24 pikë, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar fitoren.