Familja Dafku thyen heshtjen dy javë pas vrasjes së tyre nga Dan Hutra. Një viktimë e pafajshme, ashtu si tre të tjerat e ngjarjes së tmerrshme që tronditi Tiranën më 1 mars.

Në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, prindërit në një lidhje direkte nga Kukësi kanë treguar si e morën vesh lajmin për vdekjen e Hasimesë, fëmija i dytë nga 7 vajza. Ata deklaruan se Hasimeja dhe as ata nuk ishin asnjë informacion për konfliktet e kunatës së saj me ish-burrin.

Babai, Petriti: Po pija kafe në divan, kur dëgjoj fëmijët në dhomën tjetër duke bërtitur. Shkoj i pyes, më thonë më duket se Asimja është plagosur. Hapa televizorin dhe dëgjova familjen Hysa.

Në mbrëmje erdha në Tiranë dhe e gjeta në morg. Ramë dakord me familjen Hysa dhe e bëmë varrimin këtu. Vajza ime ishte e pafajshme. Ishte e martuar prej 2 muaj e gjysmë, më 19 dhjetor e kam martuar në familjen Hysa.
Vëllai im e kishte parë në televizor dhe i kishte telefonuar vajzat.

Vëllai ka marrë nga ora 11:30 dhe ka thënë që më duket se Hasimeja është plagosur.

Nëna: 10 minuta para se të vdiste Hasimeja po flisja me të. Isha në Kosovë te vajza tjetër e po flisnim në grup. Po flisnim, po bënim humor, po qeshnim. 10 minuta para se të vritej kam folur në telefon. Duam drejtësi.

Më pyeti si po ia kalon te vajza tjetër, çfarë ke bërë. Ishte duke qeshur, si ma mirë. Ishte e gëzuar që kishte shkuar në atë derë.

Babai: Vajza ime, se unë u nxeha atë ditë, se dy muaj e gjysmë nuk ka ditur asgjë që ai i ka thënë ish-gruas së tij që do të bëj namin, do të bëj gjak. Asgjë nuk ka ditur, as ne. Se po ta dija kisha shkuar e kisha marrë vajzën time, kur të rregulloheshin ato, do u thosha hajde merreni, ato më kanë prerë në besë mua.

Nëna e viktimës: Kur fola unë ka qenë brenda në divan. Brenda 10 minutash kemi marrë vesh që Hasimja ka vdekur. 11 e 17 minuta kemi nisur të flasim, 16 minuta kemi folur me të. Ka qenë një telefonatë me kamerë. Ishte Hasimja, edhe pjesëtarët e tjerë i dëgjonim duke folur. Asnjë shqetësim nuk ka pasur, jam shumë e gëzuar thoshte, shkonte shumë mirë me burrin e saj.

Babai i viktimës: Fatosi ishte larguar për Gjermani, Hasimen e kishte futur të bënte patentën, më tha e kam marrë teorinë me tre gabime, i kishte ngelur praktika.

Nëna: Burri i kishte thënë që sa të mbaronte patentën edhe do të marr me vete.

Babai: Njohja është bërë me shkuesi, i njihte të dyja familjet. Erdhi këtu dhe më tha mua, thash do vijmë në Kukës, panë njëri-tjetrin, pyetëm si familje dhe na thanë se janë familje e mirë… sot s’ke garanci për vajzat, vetëm t’i mbash në shtëpi, se s’ka shtet. Këto gjërat e tjera që ka pasur motër të martuar, nuk i kemi ditur fare. E dhashë, mbas një jave e martova.