15 prill 2014 – Trajneri i Teutës vlerësoi shpirtin e garës së futbollistëve, që arritën të kalonin zhgënjimin që solli eliminimi nga kupa në mesjavë. Biturku u shpreh: Të gjitha sfidat e mbetura për Teutën janë për ‘jetë a vdekje’, jo vetëm kjo që zhvilluam ndaj Partizanit. Dua të përgëzoj djemtë për karakterin dhe formën që treguan ndaj të kuqve. Nuk ishte e lehtë në këtë takim, pasi vinim pas një eliminimi në kupë, por ekipi gjeti forca dhe e kaloi me sukses këtë përballje. Shënuam të parët dhe në asnjë rast nuk e lamë kundërshtarin të na vinte nën presion. Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer, ku bëmë edhe disa ndryshime në rolet e disa lojtarëve. E konsideroj si një ditë të bukur. E rëndësishme ishte se shënuam tre gola, ndonëse sulmuesit nuk realizuan. Për mua nuk do të ishte problem që sulmi të ishte shterpë dhe të shënonim tre gola nga mesfushorët. Jam i kënaqur se kjo ndeshje do të na japë oksigjen për të ardhmen, duhet të realizojmë objektivin, pra pjesëmarrjen e Teutës në Europë. Mendoj se skuadra tregoi karakter, se të vish pas një eliminimi në kupë nuk është e lehtë të ngrihesh menjëherë. Komplimentet i shkojnë skuadrës për atë që dha në fushë, por edhe tifozëve që na mbështesin në çdo takim”. Idriz Batha arriti të zhbllokohet ndaj ish-skuadrës së tij dhe sipas tij tani Teuta mund ta arrijë objektivin. “Mendoj se e merituam plotësisht fitoren, pasi ishim më mirë se kundërshtari. Kemi hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt arritjes së objektivit dhe jemi të lumtur për këtë fitore. Ishte një përballje e vështirë, por ditëm si të reagonim dhe arritëm të merrnim maksimumin. Goli? Jam shumë i lumtur pasi realizova golin e parë, i cili na çliroi totalisht dhe na ndihmoi për të qenë më të kthjellët në fushë. Golin ua dedikoj shokëve të mi që ishin në stadium dhe tifozërisë së zjarrtë durrsake, e cila e meriton plotësisht. Pra, goli e fitorja ishte për tifozërinë dhe shoqërinë time”,- u shpreh Batha. Ansi Nika dhe Albi Dosti me golat e tyre i dhanë sigurinë Teutës ndaj Partizanit. “Ishim përgatitur për ta fituar këtë ndeshje dhe nuk do të dilnim nga fusha pa arritur tri pikët. I falënderoj shumë tifozët tanë dhe ua dedikoj plotësisht golin. Kemi një detyrë shumë të rëndësishme përpara dhe duhet të jemi të përqendruar në garë. Kjo fitore na ka sjellë më afër objektivit, të cilin nuk menduam kurrë se nuk do ta arrinim”, – u shpreh Nika. “Jam shumë i lumtur që më në fund arritëm të reagonim si duhet. Morëm një fitore më se të merituar dhe tashmë duhet të shikojmë përpara. Ndihem i kënaqur pas golit që shënova, por më shumë për fitoren e munguar prej kohësh. Golin ua dedikoj tifozëve. Isha në fushë për rreth 20 minuta, pasi u largova sërish pas dëmtimit. Tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës, ku do të kërkojmë me patjetër fitoren edhe në Laç”, – u shpreh Dosti.