Një krim i rëndë ndodhi dje në fshatin Barbullush të Shkodrës, ku një grua 35-vjeçare vrau me sëpatë bashkëshortin e saj gjatë kohës që ai ishte në gjumë.
Autorja Mirela Buzalli, u vetëdorëzua në polici disa orë pas krimit të rëndë. E pyetur nga hetuesit, ajo ka treguar se kohët e fundit kishte mosmarrëveshje të shumta me bashkëshortin e saj. Kjo ka bërë që ajo të humbiste durimin, edhe pse është penduar për veprimin që bëri, siç deklaron edhe vet ajo në polici, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
“Pasi e vrava, e mbulova trupin e bashkëshortit me çarçaf. Më pas mora tre fëmijët e mi dhe u tregova se u kisha vrarë babain. Kyça derën e shtëpisë me çelës, ndërsa djalit të madh dhe vajzës time 14 vjeç u thashë të shkonin tek të afërmit tanë që kemi në fshat. Djalin e vogël 5-vjeçar e mora me vete për t’u vetëdorëzuar.
Jam penduar për krimin që kam kryer, edhe pse ai më ka dhunuar shpeshherë kohët e fundit. Në atë moment më iku mendja dhe nuk kam qenë aspak e vetëdijshme se çfarë po bëja. Kemi pasur mosmarrëveshje të cilat i kaluan kufijtë e një marrëdhënie ne çift”, është shprehur 35-vjeçarja në polici.





