Kreu i PAA-së, Agron Duka dhe aleati i Bashës në koalicionin opozitar sqaron arsyet përse mori pjesë në takimin e thirrur nga kreu i Kuvendit, Meta me partitë opozitare.
Në një intervistë për “Panorama”, Duka thekson se pjesëmarrja e tij në takim me Metën nuk ishte një thyerje e vendimit të opozitës, por korrektësi ndaj ftesës që i kishte bërë Ilir Meta.
“Të gjithë kryetarët e partive janë lajmëruara përmes sekretarëve të partive, ndërkohë që me mua konsumoi një bisedë telefonike. Në këtë telefonatë më kërkoi që përtej marrëdhënieve institucionale, edhe për shkak të miqësisë të isha pjesë e atij takimi. Në këtë telefonatë unë i thash që do të vij, pa menduar nëse do të kishte një takim me aleatët e opozitës” tha Duka.
Duka sqaron se nuk ka qëndruar në takimin e kryeparlamentarit, por thjesht e ka njoftuar këtë të fundit se nuk mund të ishte pjesë e takimit pa qenë koalicioni opozitar.
“Në mbledhjen me kreun e PD-së është diskutuar nëse duhet të merrnim pjesë apo jo në takim. Pas diskutimeve, u vendos se koalicioni opozitar nuk duhet të shkojë, pasi kjo tryezë nuk ofron ndonjë rrugëzgjidhje. Ne e kemi shtruar kërkesën për qeveri teknike, ndaj edhe u vendos për të mos shkuar. Unë thashë që i kam dhënë fjalën, Ilir Metës dhe do të shkoj. Do shkoj për të thënë thjesht që nuk do të jem pjesë e asaj tryeze” deklaroi kreu i PAA.





