Ditën e sotme zhvillohet seanca e fundit ku ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pritet të thonë fjalën e tyre të fundit para shpalljes së vendimit. Në gjyqin e sotëm, pritet që të jenë të pranishëm përveç gazetarëve të shumtë edhe familjarë të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Mes tyre edhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Selimi. Ajo deklaroi për mediat para hyrjes në sallë se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e drejtë.
“Faleminderit që jeni mbledhur këtu, është një proces shumë i rëndësishëm që po ndodh për gjithë Kosovën. Dihet që lufta jonë çlirimtare ka qenë e drejtë, në të drejtën e popullit dhe për këtë arsye jemi bashkë këtu t’i dalim në mbështetje katërshes së udhëheqjes së UÇK. Ne shpresojmë që ky verdikt, jo sot, por në të ardhmen, i trupit gjykues të jetë në të drejtën e tyre, në të drejtën tonë”, tha ajo.
Sipas Selimit gjykata ka qenë e padrejtë qysh prej fillimit dhe shprehu bindjen se trupa gjykuese do ta shohë se UÇK ka bërë luftë çlirimtare dhe se katër ish-krerët e saj janë të pafajshëm.
“Kjo gjykatë ka qenë e padrejtë që prej fillimit, e padrejtë që është themeluar, e padrejtë që është votuar në Kosovë dhe padrejtësisht po e gjykon Kosovën dhe luftën tonë. Ne si ushtarë qëndrojmë ballëhapur sepse kemi bërë luftë çlirimtare dhe për këtë jam shumë e bindur se edhe gjykatësit do ta shohin këtë të drejtë”, tha ajo.





