KUCOVE – Dy të vdekur dhe një i plagosur është bilanci i krimit të rëndë, që ka tronditur qytetin e Kuçovës ditën e djeshme. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në lagjen "Llukan Prifti", ku mësohet se 58-vjeçari Riza Latifaj ka qëlluar për vdekje vjehrrin dhe vjehrrën e tij, ndërsa ka plagosur rëndë gruan, 45-vjeçaren Ëngjëllushe Muço. Sipas policisë së Beratit, 58-vjeçari, banor i fshatit Levan në rrethin e Fierit, mëngjesin e djeshëm mësohet se ka mbërritur në banesën e prindërve të gruas së tij, Ëngjëllushes, dhe i ka kërkuar asaj që të ktheheshin sërish bashkë, por ka hasur në kundërshtimin e bashkëshortes.

Pas kësaj, mësohet se 58-vjeçari i ka drejtuar armën bashkëshortes së tij, ndërkohë që në mbrojtje kanë dalë babai dhe nëna e saj, të cilët në përpjekje për t'i larguar armën nga dora dhëndrit, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që ka mbetur e plagosur rëndë Ëngjëllushja. Sipas policisë, viktima të këtij krimi janë Rexhep dhe Vasilika Muço, përkatësisht 68 dhe 66 vjeç, ndërkohë që autori është shpallur në kërkim. Ky është versioni i ngjarjes që japin strukturat e policisë, ndërkohë që vëllai i Ëngjëllushes, 41-vjeçari, Gjergji Muço rrëfen nga Spitali Ushtarak të tjera detaje për dinamikën e ngjarjes. Duke pritur motrën që të dalë nga salla e operacionit, 41-vjeçari pohon momentin kur ka marrë vesh për krimin dhe konfliktet e herëpashershme mes çiftit. Në të njëjtën kohë, ai i jep edhe një mesazh kunatit të tij: "Nuk ke për të shpëtuar gjallë, ke marrë tri jetë". 
 

Si paraqitet gjendja e motrës suaj?

Është shumë rëndë na thanë mjekët. E kemi sjellë që në orën 15:30 dhe kanë kaluar afro 3 orë e gjysmë që ajo është në sallën e operacionit. 
 

Çfarë plagësh ka marrë motra juaj?

Ëngjëllushja është goditur dy herë me thikë në shpatull. Burri i saj e ka goditur edhe me dru mbrapa koke dhe tek brinjët. 
 

Pse kërkonte motra juaj të divorcohej nga burri i saj, Rizai?

Ata kishin 10 vite të martuar, por 2-3 vitet e fundit kishin probleme me njëri-tjetrin. Rizai pinte dhe e keqtrajtonte motrën. Ajo disa herë kishte ardhur për të jetuar me ne, sepse zihej me burrin. Tre muajt e fundit Ëngjëllushja kishte vendosur të jetonte me ne dhe të mos kthehej më tek ai. Para katër ditësh ne e takuam Rizain dhe na tha që do i kërkonte falje Ëngjëllushes, në mënyrë që ajo të kthehej sërish me të. 
 

Pse kishin lindur konfliktet mes motrës suaj dhe burrit të saj?

Rizai prej 2 vitesh merrej me trafik femrash. Motra e kishte zbuluar një gjë të tillë dhe i kishte thënë që të hiqte dorë, por ai nuk kishte pranuar, madje kishte filluar të pinte dhe të ushtronte dhunë mbi atë. Prandaj Ëngjëllushja kishte ardhur të jetonte në shtëpi me ne. 
 

Çfarë tipi ishte Rizai? A e kishte tentuar më parë diçka të tillë?

Nuk ishte tip i qetë, madje ai ka tentuar edhe para dy vitesh që t'i vinte flakën shtëpisë me benzinë, ndërkohë brenda ka qenë edhe motra ime. Unë bashkë me vëllezërit e tjerë jemi zënë edhe më parë me Rizain, ai na pati premtuar që do ndryshonte, por fakti që ai ka shkuar që në 07:20 të mëngjesit do të thotë se ka shkuar për t'i vrarë. Babain e ka vrarë në vend, kur ka qenë duke fjetur, e ka goditur me thikë, ndërsa nënën e ka qëlluar me automatik. 
 

Çfarë ju kanë thënë për Rizain, dini gjë ku ndodhet ai?

Nuk dimë asgjë, policia është vënë në kërkim për ta gjetur. Por ai duhet të dijë një gjë, që nuk shpëton gjallë nga kjo që ka bërë. Duhet t'i bëjë hesapet mirë, sepse ka marrë dy jetë, ndërkohë që nuk dihet as nëse motra do të shpëtojë.