Presidenti Ilir Meta deklaroi se nuk i druhej komisionit të Venecias pasi ka respektuar në mënyrë të shkëlqyer Kushtetutën.

Madje në përgjigje per Ora News, ai kujtoi çmimin e “Luanit të Artë” që mori në Venecia në muajin korrik. Meta nuk pranoi të komentonte draft raportin e publikuar dje në media, por tha se pasi stafi i presidencës do të ketë në dorë raportin zyrtar do të bëjë publik qëndrimin e tij.

Ilir Meta: Kam zero koment për këtë çështje sepse e kam shteruar me kohë edhe si president, por edhe si institucion mbrojtjen e shkëlqyer dhe parimore të Kushtetutës, pluralizmit politik, të drejtës së zgjedhjes sipas vetë Këshillit të Europës, Konventes Europaine të të drejtave të Njeriut, sipas detyrimeve të pashmangshme që burojnë nga marrëveshja e Shqipërisë me BE për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, edhe sipas vetë vendimit të qartë që ka marrë Gjykata e Strasburgut për të sqaruar se zgjedhje nuk do të thotë procedurë dhe proces mekanik votimi, pra pa alternativë, por do të thotë mundësi për të ndikuar, për të zgjedhur, zgjedhje në kuptimin substancial. Jemi të qartë për këtë çështje dhe lidhur me idenë e një drafti që ka rrjedhur është gjëja më e parëndësishme.

Kur stafi ynë do të qartësohet se cili është drafti, i cilës datë është, apo do të vijë siç qarkulloi me data të ndryshme, përsëri përgjigja e institucionit të Presidentit do të jetë publike dhe për këtë draft dhe do të jetë në dispozicion të qytetarëve, të të gjithë partnerëve ndërkombëtarë dhe në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Komisionit të Venecias. Por nuk ka asnjë shqetësim. Shqetësimi zero. Presidenti i Republikës ka kam bërë zero shkelje të Kushtetutës dhe ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer të Kushtetutës dhe të pluralizmit politik.

Ora News: A i trembet Venecias kreu i shtetit?

Ilir Meta qesh: Si mund ti trembet Venecias Luani i Artë i Venecias të paktën për këtë vit. Të jeni të sigurtë se Luani i Artë i Venecias për këtë vit do të jetë siç e ka mbajtur premtimin deri më 24 korrik.

Ora News: Vazhdoni t'i qëndroni kësaj date?

Ilir Meta: Kjo është një gjë ka përfunduar. Askush të mos lodhet dhe të mos merret me datën 11. Nuk ekziston data 11. Data 11 ekziston për ata që duan të zgjasin krizën, ta thellojnë atë dhe që duan të mbulojnë shumë probleme të tjera. Për presidentin Meta ka vetëm një datë të rëndësishme, data 18, në mënyrë që Shqipëria të ketë mundësi të ecë drejt çeljes së negociatave dhe të plotësojë të gjitha detyrimet që janë të qarta dhe qënuk duhet të shtohen më. Apeli im është që të gjithë të përqëndrohen në zgjidhjen e krizës dhe të marrin shembull nga presidenti në respektimin e Kushtetutës dhe parimeve të saj të cilat janë të shenjta për mua.