Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni opozitar VLEN, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

“Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zoti Taravari, pse qytetarët duhet të votojnë për ju, cili është avantazhi juaj ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndaj kundërshtarit tuaj të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga BDI-ja?

Arben Taravari: Ne jemi shtatë kandidatë, nga të cilët pesë kandidatë janë maqedonas dhe dy janë shqiptarë. Konkurrenca, sinqerisht, në bllokun shqiptar do të jetë mes meje dhe zotit Bujar Osmani. Shpresoj që qytetarët të kuptojnë se kujt do t’i besonin për të udhëhequr vendin në pesë vjetët e ardhshëm. Qytetarët gjithmonë analizojnë fillimisht programin e një kandidati, çfarë mund të ofrojë ai për pesë vjetët e ardhshëm, cilat janë synimet e tij programore. E dyta është besueshmëria e kandidatëve. Mendoj se nuk kam skandale dhe afera në këto 7-8 vjet që kam qenë në politikë edhe si kryetar i komunës së Gostivarit edhe si ministër i Shëndetësisë. Në anën tjetër, kemi një kandidat që i ka vizituar të gjitha ministritë, ka qenë edhe në Qeverinë e [Nikolla] Gruevskit, e dini si ka përfunduar, pastaj ka pasur një rast në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), rasti ‘Pacienti’.

Si do t’i vazhdojë Maqedonia e Veriut negociatat me BE-në, nëse kusht mbeten ndryshimet kushtetuese? Cili është pozicioni juaj në këtë kontekst?

Arben Taravari: Tashmë është qëndrim i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian se për t’i nisur negociatat, Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. E thashë edhe në qershor të vitit 2022, kur u miratua propozimi evropian për Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë – të gjitha ato negociata ishin jotransparente dhe jo gjithëpërfshirëse. Mirëpo, meqë është pranuar dhe ka kaluar në Kuvend, është fakt se nëse duam të fillojmë negociatat, dhe me sa shoh askush nuk thotë se ka një alternativë tjetër, do të duhet të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse do të kishte opsione të tjera, atëherë mirë, mund të bisedonim.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, në programin parazgjedhor ka mbrojtur heqjen e “balancuesit”, një mekanizëm për përfaqësim të bashkësive etnike në institucione. Cili është pozicioni juaj, a do ta mbështetnit?

Arben Taravari: “Balancuesi” ka nisur të zbatohet në vitin 2006, pikërisht nga VMRO-DPMNE. Shihni, përfaqësimi i bashkësive etnike në institucione të caktuara para vitit 2002 ishte skandaloz, dhe tani disi është barazuar. Mirëpo, “balancuesi” keqpërdoret, fatkeqësisht jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët, ndodh të keqpërdoret madje edhe nga qytetarët. Nëse mund të gjejmë një mekanizëm tjetër që do të marrë parasysh përfaqësimin e komuniteteve etnike, por edhe sistemin e meritave – do të thotë ata që janë të aftë, kur zgjedhim një maqedonas, le të jetë maqedonasi më i aftë, nëse zgjedhim një shqiptar, le të jetë shqiptari më i aftë. Në vendin tonë përfaqësimi etnik nuk është pengesë, aq sa është fakti që përfaqësimi partiak po mbyt sistemin, veçanërisht administratën. Jemi të hapur për të diskutuar për gjithçka, por duhet të ketë një mekanizëm që do të eliminojë ndikimin partiak dhe unë jam i interesuar për këtë.

Si i interpretoni akuzat për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut?

Arben Taravari: Nuk do të thosha ndikim rus, sepse nuk di për ndikimin rus, nuk kam asnjë provë. Por, e di që ka një ndikim të madh serb në Maqedoninë e Veriut, kjo është e qartë, sidomos përmes “Ballkanit të Hapur”, ndikimi i Serbisë është i madh në shoqërinë maqedonase, po flas në përgjithësi. Duke marrë parasysh që Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Rusinë – ajo është shumë e afërt, ndoshta vendi më i afërt nga Ballkani Perëndimor që është me Rusinë – nëse ka ndikim rus atëherë mendoj se ndikimi rus kalon përmes Serbisë. Dhe se ndikimi serb në Maqedoni është i madh, ky është një fakt i padiskutueshëm, dhe këtë e kam thënë shumë shpesh. Kjo nuk dëmton vetëm maqedonasit apo vetëm shqiptarët, por shtetin në përgjithësi.