Kapiteni i tragetit të linjës Vlorë-Brindizi, i cili shpëtoi nga mbytja e sigurt 4 peshkatarët ka komentuar rastin dramatik, kur arriti të shohë përmes dylbive dhe radarit gjendjen në të cilën ndodheshinm pas përmbytjes së varkës.
Prej rreth 6 orësh, peshkatarët qëndronin në ujë, pranë ishullit të Sazanit.
“Katër peshkatarët i pamë me pamje vizuale me dylbi si dhe radarë. I gjetëm në limitet e mbijetesës pasi kishin shume kohe në ujë. Operacioni i shpëtimit zgjati 20 minuta. peshkatarët u favorizuan nga temperatura e ujit qe rezistuan”, tha ndër të tjera kapiteni i tragetit, Petrit Agaj.
Njoftimi i policisë:
Shpëtohen 4 shtetas të cilët rrezikuan të mbyteshin në det me një anije peshkimi.
Më datë 04.11.2018, në orën 02:08, jemi njoftuar për ndihmë se mjeti lundrues peshkimi “Vasili LN” po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.
Menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojes Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.
Por sot në mëngjes rreth orës 06:04, njofton Kapiteneria e Portit Vlorë se trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).
Këta shtetas janë personat e ekuipazhit të anijes së peshkimit “Vasili LN”, për të cilët bëjmë me dije se janë në gjendje të mirë shëndetësore.





