Këngëtarja Blerina Balili, e cila ishte duke interpretuar mbrëmjen e së enjtes në Vlorë në lokalin ku ndodhi vrasja, i ka përshkruar çastet e tmerrit të kaluar duke u shprehur se është vetëm fat që ajo dhe të tjerë të pranishëm në lokal janë gjallë. Ende e tronditur ajo gjen mundësinë të ngushëllojë edhe familjen e viktimës.
“Ishte fat që jemi ende gjallë dhe më vjen shumë keq për ngjarjen që ndodhi. Ishte tmerr. Ishte skena më e keqe që mund t’i ndodhë dikujt, situatë jashtë mase e vështirë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj.
Ku po shkon rinia jonë, çfarë po bëhet o Zot?! Mbi të gjitha ngushëllima të sinqerta familjes që pati fatkeqësinë. Unë thjesht isha në punë, nuk isha për vrasje aty aty dhe ishim me fat që shpëtuam”, thotë këngëtarja.
Pak para mesnatës së të enjtes, dy persona të armatosur hynë në një lokal me muzikë dhe hapën zjarr duke vrarë 33-vjeçarin Ergys Gjioveshaj dhe plagosur tre persona të tjerë. Policia ka arrestuar një prej autorëve, 19-vjeçarin Gani Tozaj.





