Është një Antonio Konte i shtendosur dhe i relaksuar, protagonist i sallës së Fabio Facios. Dhe, larg nga momentet e tensionit, zbulohen anekdota interesante. “Fitoren e shijoj pak, shumë pak, ndërsa humbja zgjat shumë më tepër: së paku një ditë, me raste dy. Humbja është një ‘zi’ e përkohshme, për mua dhe për familjen time. Momentalisht jam i lumtur. Kemi nisur një projekt të ri. Jemi të parët, paçka se ‘të shoqëruar’, dhe… Nuk them gjë tjetër”.
Trajneri i Interit flet për eksperiencat e tij të ndryshme. “Nëse më duhet të jem i sinqertë, në Angli e simpatizoj shumë atmosferën përreth ndeshjes. Spektatorët vijnë për të shijuar ndeshjen dhe spektaklin, e kuptojnë sforcon që jep në fushë. Një ditë me Çelsin luanim në shtëpi me Midëllsbroun që po binte nga kategoria, fituam 4-1 dhe pavarësisht kësaj tifozët e tyre i duartrokitën lojtarët që shkuan poshtë pjesës së tyre të stadiumit. Më befasoi aq shumë ky fakt, sa shkova t’i duartrokas. Raporti me gazetarët? Jam shumë i drejtpërdrejtë, nuk e konsideroj veten diplomatik”.
“Këshillat” e Kontes për lojtarët rreth seksit, të zbuluara në një intervistë të vonë, kanë bërë të diskutohet. “Në të vërtetë, gazetari i ‘L’Equipe’ më tha që Kamata, ish-lojtar imi në kohët e Barit, i kishte treguar se unë jepja këshilla jashtë fushe… Nuk them që është keq, por ka momente e momente. Është një çështje që ekziston prej kohësh. Trajnerët në të kaluarën thoshin që pas ndeshjes dhe pushimit të së hënës, nga e marta mbylleshin rubinetat”. Një herë grumbulloi edhe Destron që do të martohej… “U martua, më pas u bashkua menjëherë me ne në grumbullim”.
Konte dallohet edhe për festimet e tij. “Dallohet pasioni që kam, edhe pse më prapa disi më vjen turp… Mendoj se është pasion i pastër, asgjë e përgatitur. Ky jam unë dhe nëse dikujt nuk i pëlqen, më vjen keq. Pirlo trembej sepse lëshoja shishet në dhomat e zhveshjeve? Ka ndodhur shumë pak herë, për të rritur disi presionin kur shikoja që dikush relaksohej.
Rreth Juventusit kujtoj shumë anekdota. Kur Boniperti më mori nga selia në rezidencën e Anjelit, më akomodoi në një sallon shumë të bukur dhe me hapësirë, më pas nisëm të bisedonim me Avokatin. Më pyeti për golat e shënuar në karrierë dhe në atë moment kisha shënuar vetëm një. Pashë nga Boniperti dhe i thashë: ‘Ndoshta keni gabuar blerje’, ai m’u përgjigj që të mos thellohesha. Në fund i tregova që kisha shënuar ndonjë gol, shumë të përgjithshëm…”.





