DURRES, 12 shkurt 2013 – Mëngjesi i së hënës ka qenë dita më e keqe e jetës së tyre për familjen e Hamit Haxhiut nga Shijaku. Nëna, gruaja dhe dy fëmijët e kryefamiljarit u terrorizuan për disa minuta nga tre persona të maskuar, që u hynë me dhunë në shtëpi, për t’u vjedhur paratë. Tmerri i familjes që banon në katin e dytë të një pallati 5-katësh në lagjen “Laguna” në Shijak nisi që pa gdhirë, kur ende anëtarët e familjes ishin në gjumë. Ndërsa kryefamiljari Hamit Haxhiu sapo kishte dalë nga apartamenti për të shkuar në punë, dera e shtëpisë u shpërthye nga tre persona të maskuar, që me mjete të forta arritën ta hapnin dhe të hynin brenda në apartament.

Tmerri i atyre minutave duket se do të kujtohet gjatë nga anëtarët e familjes, që ende sot, kur kanë kaluar mëse 24 orë nga ngjarja, nuk pranojnë të flasin, duke refuzuar çdo lloj kontakti me këdo. I vetmi që pranon të rrëfejë se çfarë ka ndodhur në ato minuta është vëllai i të zonjës së shtëpisë, Gentian Xhafa. I riu tregon se paniku që ka përjetuar e motra mëngjesin e së hënës ka qenë i paimagjinueshëm, pasi grabitësit e kërcënuan se do t’i vrisnin fëmijët, nëse nuk rrëfente se ku ishin paratë.

“Ata kanë hyrë brenda duke shpërthyer derën dhe i kanë zgjuar nga gjumi fëmijët e vegjël si dhe motrën time dhe vjehrrën e saj. Kanë qenë të maskuar dhe të armatosur dhe i kanë kërcënuar të mos lëviznin, sepse në të kundërt do t’i vrisnin. Kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj tyre sidomos ndaj vjehrrës së motrës dhe më pas i kanë mbuluar të gjithë me çarçaf. Motra tha se ata erdhën vërdallë nëpër shtëpi për të gjetur lekët, por pasi nuk po arrinin t’i gjenin se ku ishin kanë kërcënuar Anilën që t’ua tregonte sepse në të kundërt do t’i vrisnin fëmijët. U mbanin të vegjëlve armën tek koka dhe kështu motra u tregoi se ku i mbanin kursimet. Pasi i morën, ikën menjëherë”,- rrëfen Gentian Xhafa.

Gentiani pohon se e gjithë familja ndihet e traumatizuar nga ngjarja e frikshme, sidomos fëmijët e mitur, që u terrorizuan në mes të natës nga persona të maskuar dhe të armatosur. Ndërsa policia ka arrestuar njërin prej grabitësve, Xhafa tregon se ata nuk e njohin 27 vjeçarin Emiljano Lami, megjithëse banon në Shijak. Vëllai i Anilës rrëfen se e motra dhe vjehrra e saj nuk kanë arritur të njohin asnjë nga grabitësit, pasi kanë qenë me maska në fytyrë. Xhafa i bën apel policisë së Durrësit që të vërë sa më shpejt pas hekurave dhe dy grabitësit e tjerë, sepse vetëm kështu familja e motrës së tij do ta bëjë gjumin më të qetë.

Grabitësit arritën të merrnin në familjen Haxhiu 2000 euro dhe 550 mijë lekë. Menjëherë pas ngjarjes, në shtëpinë e Hamit Haxhiut kanë mbërritur forcat e rendit të komisariatit të policisë së Shijakut, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore.

Pas marrjes së gjurmëve të gishtërinjve të lëna nga grabitësit në shtëpinë e familjes Haxhiu, policia ka arritur të identifikojë njërin nga grabitësit, 27 vjeçarin Emiljano Lami, i cili figuron të jetë person me precedentë penalë. Pas kontrollit në shtëpinë e Lamit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një maskë që dyshohet të jetë përdorur prej tij gjatë grabitjes.

27 vjeçari Lami është ndaluar edhe më parë për veprën penale të grabitjes dhe plagosjes. Burime pranë komisariatit të Shijakut bëjnë të ditur se Lami ka treguar edhe emrat e bashkëpunëtorëve të tij dhe tashmë është vetëm çështje kohe arrestimi i tyre.     

(m.l./ AGJENSIA E LAJMEVE "DYRRAH")