Mes një dhimbjeje e dëshpërimi të thellë, familja e Gazmend Çollakut mësoi sot lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të të dashurit të tyre. Kunati i të ndjerit, Juli Kajana, ndodhej në ambientet e morgut të spitalit të Durrësit, ku ndërkohë po kryhej ekspertiza mjeko-ligjore e viktimës.
Mes lotëve që e kishin mbërthyer, Kajana tha se lajmin e rëndë e mësuan mëngjesin e sotëm nga policia e Durrësit.
“Lajmin e mësuam sot në mëngjes. Na njoftoi policia që Gazmendi ishte gjetur i vrarë. Na ka rënë si bombë në familje. Nuk e prisnim kurrë, pasi në dijeninë tonë, Gazi nuk kishte konflikte me asnjë person. Ishte një djalë i qetë”, tha kunati i viktimës për “DurrësLajm”.
Kajana tregoi se Gazmendi ishte djali i vetëm i familjes, ai kishte vetëm dy motra. Kohët e fundit i ndjeri ishte i papunë, por ka punuar si emigrant në Itali, ku shkonte e vinte herë pas here. Prej kohësh ai bashkëjetonte me të fejuarën në një apartament.
Ndërkohë, në shtëpinë e prindërve të Gazmend Çollakut në lagjen nr. 18, janë hapur dyert e mortit. Prindërit humbën djalin e vetëm dhe motrat të vetmin vëlla. Gjithçka i ka rënë si bombë dhe zia i ka pllakosur të gjithë, të cilët nuk e besojnë ende ndarjen e të shtrenjtit të tyre nga jeta.