Bashkim Gjika, një prej banorëve të pallatit që çoi në SPAK dosjen për të cilën akuzohet ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, e cilësoi këtë lëvizje të SPAK një mashtrim politik. Në një intervistë për “Durrëslajm”, Gjika tha se këtë çështje e ka çuar në të gjitha strukturat e drejtësisë, madje dhe në Ambasadën Amerikane.

Mes të tjerash ai tha se kërkon që të shembet pallati dhe të rindërtohet në po të njëjtin vend, ndërsa akuzoi firmën e ndërtimit se ka tentuar që t’u japë para në këmbim të heshtjes.

“Kam bërë denoncime të pandërprera dhe në SPAK dhe në Ambasadën Amerikane. Kërkoj shtëpinë time, kaq dua. Prokurori Bledar Bejko ka fshehur të gjitha provat. Pas 4 vitesh nga tërmeti, asgjë nuk është bërë. I drejtohem çdo javë KPA. Ai kaloi vettingun në shkallë të parë dhe s’më takonte më dhe thoshte; fatkeqësi natyrore. Pallati nuk kishte asnjë pilotë dhe ndaj është ndërtuar jashtë procedurave dhe ndaj ka rënë. 85 cm është anuar. Ndaj s’e ka mbajtur dot veten. Është jashtë çdo standardi. Nuk duhet të jetojnë as njerëzit që janë dhe përqark, dhe jo më brenda jo e jo. Vendimi i shembjes ka dalë. Duhet të shembet dhe të rindërtohet. Pallatit tonë nuk i ka dalë emri për t’u strehuar diku, pasi është pallat i denoncuar. Kjo është politikë. Këtu është bërë diçka politike. Po luhet diçka tjetër, kjo nuk është provë. Pronarit të kompanisë nuk i janë bllokuar asgjë. Nuk ka asnjë provë. Që të bllokoheshin bankat në moment. Me gjithë ato lekë që ka marrë ai, do bëjë 6 muaj burg. Po ashtu shkoj dhe unë dhe bëj burg.

Nuk kam frikë nga askush, lëviz në këmbë. Dako nuk më ka bërë presion. Firma e ndërtimit ka dashur të blejë heshtjen time. Nuk kam pranuar asnjë kompromis. Nuk kam patur frikë as në komunizëm as tani, nuk tërhiqem nga vendosja e drejtësisë. Nuk kam frikë askënd”, tha ndër të tjera ai.

Ndiqni të plotë intervistën në videon e mëposhtme: