Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme është nisur për në Gjermani për trajtim të sëmundjes me të cilën ai po ballafaqohet tash e një kohë. Mustafa para se të shkojë në Gjermani ka qëndruar një javë në Spitalin Amerikan në Kosovë. Rreth gjendjes së tij shëndetësore është deklaruar mjeku i cili i ka qëndruar atij pranë gjatë kohës sa ka qëndruar në këtë spital privat.
Doktori Visar Berisha, thotë se pavarësisht sëmundjes akademik Mustafa gëzon shëndet të plotë mendor e intelektual.
“Kryetari Mustafa sot është lëshuar nga Spitali pasi qëndrimi aty ishte me i pa nevojshëm. Përgjigja ne terapi ishte e shpejte dhe e mire. Kaq. S’ka me asnjë trajtim specifik e as simptomatik. Rezultati i kërkuar është arritur. Tash mbetet vetëm faza përmbyllëse e që është rehabilitimi fizikal ne mënyrë qe sensibiliteti te marre formen e me hershme”, ka shpjeguar për gjendjen shëndetësore të Mustafës doktori që i qëndroi pranë në kohën e trajtimit në Spitalin Amerikan.
Mjeku Berisha sqaron se Mustafa ka vetëm një grip sezonal i cili sipas tij u shperfaq me mpirje gjymtyrësh. Si pasojë e kësaj kreut të LDKsë iu prek sensibiliteti.
“Me marrjen e terapisë menjëherë u treguan shenja te hershme te përmirësimit dhe stabilitetit”, shpjegon tutje mjeku.
Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, do t’i duhet të shkojë në një qendër rehabilitimi për fizioterapi në Gjermani, pas gati një jave qëndrimi i shtrirë në një spital privat në Prishtinë.
Atij do t’i duhet për t’u kuruar nga një grip sezonal, por që ka prekur me gjasë rëndë shëndetin e tij.
Megjithatë, gjendja shëndetësore e liderit opozitar është pak më serioze – sesa një grip i zakonshëm sezonal. Gazeta Express ka mësuar se ish-kryeministri nuk është në rrezik jete, mirëpo, për shkak të trajtimit me vonesë të gripit, gjendja shëndetësore i është komplikuar seriozisht.
Ai nuk është në gjendje të lëvizë, ndërsa për t’u rehabilituar plotësisht duhet të kalojnë muaj të tërë.
Sipas burimeve të gazetës, mjekët dyshojnë se kryetari i LDK-së është prekur nga sindroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lërë pasoja.
Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.