Zbulohet arsyeja pse ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u largua pasditen e djeshme nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.

Ndërsa burime pranë familjes së tij, thanë se shkak i këtij udhëtimi kanë qenë çështje personale dhe ai kthehet sot. Nga ana tjetër, burime pranë Partisë Socialiste shtuan se shkak i këtij udhëtimi të Tahirit është një problem shëndetësor i babait të tij, Bashkim Tahiri.

"Panorma" shkruan se ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe për këtë arsye, prezenca e të birit atje ka qenë e domosdoshme. Ndërsa avokati i ish-ministrit, i cili është person nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, u shpreh se nuk ishte në dijeni të këtij udhëtimi.

Por nga ana tjetër, shtoi se lëvizjet e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë nuk përbëjnë asnjë detyrim për ta vënë në dijeni Prokurorinë, pasi ai është një njeri i lirë. Për më tepër, Gjykata nuk ka vendosur asnjë masë shtrënguese ndaj tij, bllokim pasaporte apo pengim për t’u larguar jashtë vendit.

I vetmi vendim Gjykate ishte kontrolli i banesës së tij në kuadër të hetimit për çështjen “Habilaj”, vendim që u ekzekutua nga Prokuroria.