ERSEKE– Fatos Kapllani ishte i çmendur pas të dashurës së tij Antoneta Petriti. Ai dashuronte marrëzisht, si një adoleshent i shfrenuar. I këndonte serenata poshtë ballkonit 33-vjeçares. Lidhjen e tyre e dinte gjithë Erseka". Kështu deklaroi dje, Olti Muka, shoku i ngushtë i 50-vjeçarit Kapllani, i cili mëngjesin e së enjtes vrau me breshëri automatiku të dashurën e tij dhe më pas vrau veten. Në një intervistë për media, Muka tregon për marrëdhëniet dhe dashurinë mes dy viktimave. Ai pohon dhe takimin e fundit me Kapllanin. "E takova Tosin pak para vrasjes dhe piva kafe me të. Ai dukej i lumtur, ndërsa më tha se do t'i bënte një dhuratë të paparë Netës. Nuk ma tregoi se çfarë dhurate. Më pas, kuptova se dhurata që shoku im i bëri të dashurës së tij ishte "vdekja". 

Ju jeni shoku i ngushtë i Fatos Kapllanit, si e keni përjetuar ngjarjen? 

Jam ende i shokuar nga kjo që ka ndodhur. Ai vërtet ishte i paparashikueshëm, por kurrsesi nuk e mendoja se do arrinte deri këtu. Në fakt ai ishte shoku im i ngushtë. Pjesën më të madhe të ditës që prej pushimit të tij nga puna e policit zjarrfikës, e kalonim bashkë. Unë dija gjithçka për të, dhe pavarësisht se kishim pak diferencë moshe, përpiqesha ndonjëherë ta këshilloja. Por më kot. Ai ishte kokëfortë dhe nuk dëgjonte askënd. Sot (dje) jam thuajse i dërrmuar, rri dhe mendohem, si arriti deri këtu. Ai ishte i çmendur pas Netës dhe për të shkatërroi familjen dhe veten. Fatosi kishte një dashuri të shfrenuar adoleshenti; i bënte serenata poshtë ballkonit, madje edhe flinte jashtë, duke e ruajtur se mos e tradhtonte. Ishte komplet i çmendur pas saj. 

Kur e takuat për herë të fundit? 

Dje (të enjten) para krimit, sigurisht. Pimë kafen bashkë këtu në qendër të qytetit dhe më foli për festën e Shën Valentinit. Ishte i qeshur dhe i lumtur, nuk e kuptova arsyen. Më tha se i kishte bërë një dhuratë fantastike dhe që do mbahej mend, për Netën. Në fillim kujtova ndonjë unazë, por më tha që nuk e kisha gjetur, dhe se ai nuk kishte mendje të ma tregonte, por shpejt do e merrja vesh dhe do ngelesha i habitur nga surpriza e tij. Asgjë nuk më shkoi në mendje dhe kurrsesi nuk mund të më shkonte në mendje si dhuratë "vdekja". Më tha "ke për ta parë, ki durim". Epo, mendova, ka marrë para borxh dhe i ka blerë ndonjë varëse floriri. Sërish nuk më shkoi në mendje asgjë. Pastaj duke pirë kafen i dërgoi dy mesazhe. Në njërin shkruhej: "Gëzuar festën, jeta ime, qofshim gjithmonë të dashuruar. Të kam shpirt dhe të kam bërë një dhuratë". Kaq arrita të shikoja, se edhe ma lexoi më pas vetë. Kjo ishte biseda e fundit. Pastaj Fatosi më tha se do të largohej, pasi do të shkonte të mbyllte disa gjëra në shtëpi. 

Ishte i shqetësuar? 

Aspak, ishte i lumtur, i qeshur si gjithmonë. Ndoshta edhe pak më tepër. Epo, e justifikova me faktin se është festë, dhe ai ishte një "kalama" në dashuri. Ndaj nuk mendova asgjë tjetër. 

Si ishte njohur çifti? 

Neta ishte e martuar dhe para 5 vjetësh ishte divorcuar nga bashkëshorti. Me vajzën e saj u zhvendos në Ersekë tek shtëpia e nënës së saj. Ishte e bukur të themi, dhe Tosi e kishte vënë re kur ajo çonte fëmijën në shkollë. Në fillim nisi ta ndihmonte me ilaçe për nënën, dhe më pas i shërbente si taksi për ndonjë nevojë personale, derisa u lidhën bashkë. Ai merrte lekë borxh dhe e ndihmonte atë, ndonëse ishte i rrënuar ekonomikisht. Me pak fjalë, ishte gjahtar i zoti. 

Familja e Fatos Kapllanit, ishte në dijeni për lidhjen e tij jashtëmartesore? 

Patjetër që po. Në dijeni të kësaj lidhjeje ishte gjithë Erseka. Djali i Tosit ishte bërë shpeshherë kapriçoz dhe nuk e dëgjonte, pasi i vinte turp se i thoshin në shkollë që babai i tij kishte të dashur dhe i tradhtonte nënën. Edhe kjo e fundit, Balja, ishte grua zonjë. E dinte, por nuk bënte zë nga turpi dhe për hir të dy fëmijëve. Madje ajo nuk dilte thuajse fare nga shtëpia për shkak të turpit. Ndonëse i kishin folur të gjithë, Tosi më thoshte se Netën e dashuronte, ndërsa gruan e respektonte. 

E kishte denoncuar Neta ndonjëherë Fatosin? 

Para një jave e denoncoi, pasi Tosi e kërcënonte dhe e dhunonte ndonjëherë nga xhelozia e tepruar. Neta e tërhoqi padinë. Por, ishte dhe bashkëshortja e Tosit, e cila shkoi në polici dhe kërkoi që burri i saj të mos ndiqej penalisht, pasi gjithçka e kishte bërë nga dashuria për atë gruan e re. "Lëreni, se ai e do dhe nuk kemi çfarë i bëjmë", ishte shprehur gruaja e Tosit në polici. 

Ju deklaruat se shoku juaj e donte shumë Antonetën; atëherë, përse e vrau? 

Vrasja ishte e paralajmëruar. Ai para një jave, u zu me Netën, pasi ajo po largohej pak nga pak. Tosi bërtiste, e kërcënonte duke i thënë se do e vriste dhe se do e zhdukte familjarisht. Por askush s'e merrte seriozisht, duke e justifikuar se ishte i dashuruar. 

Ishte xheloz? 

Më shumë se ai, nuk besoj se ka ndonjë njeri tjetër të jetë xheloz. Ai flinte shumë herë jashtë, poshtë ballkonit të Netës. E ruante se mos ajo e tradhtonte. Ishte i çmendur komplet pas saj. Rrinte poshtë ballkonit të saj dhe i vinte serenata në makinë. Shpesh kam qenë dhe unë shoqërues. Vinte disa këngë dhe atë "të ka lali shpirt, të ka lali xhan". 

Po për familjen, fliste ndonjëherë? 

Për Netën nuk guxonte t'i fliste njeri keq, se hidhej në sulm. Ndërsa për familjen nuk fliste shumë. Ndonjëherë zinte kokën me duar dhe thoshte se ajo e shkatërroi, madje edhe familjen e tij. Në shtëpi nuk e shikonin më si më parë, madje edhe fëmijët nuk e donin më si më parë. Siç thoshte ai, për ta ishte një i huaj. 

Ju e kishit shok Fatos Kapllanin; morët pjesë në ceremoninë e varrimit të tij? 

Jo, nuk i shkova në varrim. Nuk jam i vetmi. Ju e shikoni që nuk ka as njoftim vdekje nëpër shtylla. Është opinioni që të vret në këto raste, pastaj edhe familjarët nuk bënë ndonjë varrim të madh, një ceremoni e thjeshtë ishte. Familjarët nuk donin ta merrnin kufomën dje (të enjten). Bashkëshortja e Tosit dhe fëmijët refuzuan, derisa erdhi i vëllai dhe e tërhoqi trupin nga morgu.