Një skaf me turistë italianë u mbyt sot në vendin e quajtur ‘Hunga e Plakut” në Zvërnec.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30.
Një mjet lundrues me drejtues G. V., 61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.
Shërbimet e Policisë Kufitare sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e shtetasve në breg. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara të Policisë Kufitare dhe GDF është bërë e mundur nxjerrja e 4 shtetasve italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Një nga turistët italianë tregon: “Skafi nuk kishte asgjë. U nisëm nga Sllovenia. Udhëtuam në gjithë Kroacinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe nuk patëm asnjë problem. Pastaj në orën 04:30 të mëngjesit ndodhi incidenti në brigjet e Shqipërisë. Shkëmbinjtë duhen sinjalizuar, për fat të keq nuk ishin sinjalizuar dhe u goditëm. Por për fat të mirë nuk vdiqëm, vdiq varka. Ishim 4 persona, përfshirë një fëmijë”, tha turisti italian.