Laç, 6 mars 2014 – Vëllezërit Cara i kisha shokë. Me Gentjanin, Prengën dhe Andrean kisha shumë shoqëri, por kohët e fundit ata nisën të më tallnin dhe të më përqeshnin. Për këtë bëmë sherr në lokalin e tyre. Në gjaknxehtësi e sipër unë nxora pistoletat që kisha me vete dhe qëllova mbi ta". Kështu ka deklaruar në polici Altin Piroli, autori i vrasjes së 32-vjeçarit Gentjan Cara dhe vëllait të këtij të fundit, Andrea Cara, 31 vjeç.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në qendër të qytetit të Laçit, ku mbetën të plagosur dhe dy kalimtarë të rastit, policia ka marrë disa herë në pyetje 27-vjeçarin, i cili pohohet se është i sëmurë mendor dhe trajtohet me kemp. Burime pranë grupit hetimor dje bënë me dije se i riu nga fshati Zhej i rrethit të Kurbinit ka shfaqur shenja pendese dhe se ishte nën efektin e drogës kur bëri krimin. Ndërkohë, burimet e mësipërme pohuan se një grup ekspertësh nga Prokuroria e Përgjithshme pritet të rihapin dosjen e Altin Pirolit. Kjo për të verifikuar se ai i ka shpëtuar burgut pas plagosjes së djalit 11-vjeçar të xhaxhait të tij. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004.
Vrasja e dyfishtë e ndodhur mëngjesin e së martës në qendër të qytetit të Laçit ka alarmuar policinë, e cila në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Në dëshminë e tij, 27-vjeçari ka treguar me detaje skenën e krimit si dhe motivin. "Gjithçka ka ndodhur pas një sherri në lokalin në pronësi të Prengë, Gent dhe Andrea Carës. Tre vëllezërit kishin shoqëri të ngushtë me mua, por ata kishin nisur të më tallnin. Nuk mund ta duroja një gjë të tillë nga shokët e mi. Mëngjesin e së martës, unë isha tek lokali i tyre, kur ata më përqeshën. U zumë keqazi, ndërsa unë isha vetëm. Mbaj mend se nxora pistoletat nga brezi dhe i qëllova. Nuk mbaj mend se kë kam qëlluar më parë.
Fillimisht kam tentuar të vrasë Prengën, por ai u largua. Më pas kam qëlluar dy vëllezërit e tjerë, të cilët tentuan të ikin duke dalë nga dera", ka pohuar Piroli. Agresori është shprehur se "pas vrasjes së dy vëllezërve Cara, kam lëvizur instiktivisht dhe nuk di çfarë ka ndodhur. I kam pasur shokë dhe më vjen keq për çfarë ka ndodhur". Ndërkohë, dje janë përcjellë në banesën e fundit dy viktimat. Mësohet se familjarët e Pirolit janë tronditur nga krimi i kryer prej tij dhe nuk i kanë gjetur avokat që ta mbrojë.
Mësohet se në vitin 2004, Prokuroria e Kurbinit kishte kërkuar në dy raste lirimin e Pirolit me pretendimin se ai ishte i sëmurë mendor. Por një gjë e tillë ishte kundërshtuar nga ana e gjykatës, e cila vetëm pasi ka marrë raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë, e ka liruar atë. Gjithashtu, gjykata ka vendosur që për Pirolin të kujdeset babai i tij, ndërsa mjekët e spitalit të Laçit të ndiqnin kurimin e tij. Familjarët e 27-vjeçarit dje kanë deklaruar se ai kishte një muaj që nuk pranonte të pinte ilaçet.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





