DURRES, 12 mars 2013– Ndonëse kanë kaluar më shumë se 36 orë nga vrasja e 38 vjeçarit Nikolin Prenga, i njohur ndryshe edhe me emrin Nik Zef Ndoj, ende policia nuk ka ndonjë emër konkret për krimin e regjistruar mbrëmjen e së dielës në zonën e Spitallës. Në polici janë shoqëruar më shumë se 30 persona, dëshmitarë në vendngjarje apo të dyshuar për vrasjen, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar nga forcat e rendit.
Nga ana tjetër edhe familja e të vrarit deklaron me bindje se atentati i bërë ndaj djalit të tyre nuk ka lidhje me ndonjë konflikt të momentit dhe janë në pritje që policia dhe prokuroria të zbardhin emrat e autorëve të krimit.
38 vjeçari përcillet sot për në banesën e fundit. Vëmendja e grupit hetimor është përqendruar në të kaluarën e 38 vjeçarit nga Mirdita, por që banonte për vitesh në Durrës. Në fillim ai u përmend si personi që ndihmoi vrasësin e kryekomisarit Gani Malushi, Agim Pepën, të largohej, por për këtë vepër penale për të cilën Ndoj u akuzua mori pafajësinë nga gjykata madje dhe dëmshpërblimin.
Krahas këtij episodi që ka ndodhur në Shqipëri, Ndoj akuzohet edhe për një vrasje të kryer në Itali, ndaj një bashkëqytetari të tij, po nga Mirdita, vepër penale për të cilën ai është dënuar me 5 vite burg në Itali.
Ndërsa grupi hetimor është përqendruar edhe në këtë pistë, familjarët hedhin poshtë idenë se vrasja e Nikolinit mund të ketë lidhje me krimin e kryer prej tij vite më parë. Nga burime konfidenciale mësohet se autorët e krimit kanë shfrytëzuar pikërisht vendin pranë shtëpisë së 38 vjeçarit Ndoj, pasi aty rruga është shumë e keqe dhe megjithëse lëvizte me makinë Nikolini ishte i detyruar të ecte mjaft ngadalë.
Sipas disa dëshmitarëve një makinë ka qëndruar rreth 2 orë në atë zonë dhe mendohet se mund të jetë automjeti me të cilin kanë lëvizur vrasësit, që pasi i kanë qëlluar disa herë me shotgan 38 vjeçarit Ndoj janë zhdukur menjëherë në errësirën e natës. Policia e Durrësit mendon se viktima mund t'i ketë parë autorët e krimit, por nuk ka pasur mundësi që të lëvizte me shpejtësi, pasi rruga ku ndodhej ai ishte shumë e ngushtë (në të dy anët ka vila 3-katëshe) dhe balta ishte “deri në gju”.
Xhaxhai i viktimës, Pash Lleshi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” rrëfen momentin kur kanë dëgjuar krismat dhe më pas njoftimet nga ana e fqinjëve se Nikolini ishte goditur me armë zjarri. Lleshi deklaron se vrasja ndodhi vetëm 50 metra larg shtëpisë së viktimës dhe e gjithë familja nuk ndihet e sigurt, sepse nuk ka ndonjë dyshim konkret se cilët mund të jenë ekzekutorët e nipit të tij. Lleshipranon se nipi i tij kishte konflikte të hapura, por familja do nisë të merret me to, pasi të kalojnë tri ditë nga vrasja e të afërmit të tyre.
Si e mësuat për vrasjen e nipit tuaj?
Ishim në shtëpi, disa duke parë televizor, disa merreshin me punë të ndryshme. Na lajmëruan disa komshinj, pasi vrasja ndodhi rreth 50 metra larg shtëpisë. Ata thanë se kanë qëlluar mbi Nikolinin. Dolëm menjëherë në rrugë. Kur mbërritëm tek vendi pamë që po e ndihmonin disa komshinj tanë, të cilët ishin ndodhur aty në atë kohë. E hipëm në një makinë dhe e transportuam për në spital, por gjatë rrugës ndërroi jetë.
Pse mendoni se mund të jetë vrarë nipi juaj?
Nuk mund të flas për këtë temë. Momentalisht do t’ia lëmë në dorë policisë dhe shtetit për të gjetur dhe dënuar maksimalisht autorët. Vrasja e Nikolinit nuk vjen nga një konflikt i momentit. Vrasja e tij është kryer nga persona që i kanë ruajtur të gjitha lëvizjet e tij, ndërsa i kanë zënë pritë pak metra larg shtëpisë.
Me çfarë merrej Nikolini kohët e fundit?
Pasi u kthye nga Italia, qëndroi disa muaj pa punë, por më pas filloi si roje sigurie në një kazino. Kohët e fundit ishte stabilizuar dhe shikonte punën e tij. Vetëm punë shtëpi.
Nikolini akuzohet edhe për një vrasje të kryer në Itali…
Po është e vërtetë, por atë sherr ne e kemi mbyllur, si me shtetin italian ashtu dhe me familjarët e të dëmtuarit. Gjithashtu edhe për vrasjen e komisarit, për të cilin akuzohet se ka qenë personi që ka larguar nga vendi i ngjarjes Gani Malushin, gjykata i dha pafajësinë, madje edhe e dëmshpërbleu.
A ka patur konflikte të tjera nipi juaj?
Në fakt, Nikolini ka patur shpesh grindje me persona të ndryshëm, por nuk mund t’i vë asnjërit gishtin. Këtë punë ia kemi lënë policisë dhe prokurorisë për të vepruar, pastaj nëse do të jetë e nevojshme pas të tretave do të kërkojmë edhe vetë.
/m.l. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





