Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklarimeve të bëra sot në lidhje me një njoftim të PAK-ut drejtuar grupit parlamentar të PD-së, lidhur me fletëthirrjen e Sali Berishës.

Në një reagim për mediat, Bardhi mohoi kategorikisht që një njoftim i tillë të ketë mbërritur ndonjëherë në adresë të grupit, duke e cilësuar situatën si një keqpërdorim politik.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë”, shprehet Bardhi.

kuti postare berisha kuvend

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE, Z. GAZMENT BARDHI

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë.

Referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje. Vetë SPAK ishte në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar Grupit tonë Parlamentar dhe për pasojë nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Po ashtu, Prokuroria e Posaçme apo vetë Kuvendi është në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë!

Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë.

Sa më lart, shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posacme, për propagandë dite të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.