Nga Edison Balla
Minishengeni Ballkanik është tashmë levizja më e fundit e Ramës e cila e ka futur jo pak në debat e konfuzion opinionin publik. Është cilësuar si një projekt i përbashkët ballkanik, dhe si një imitim i Shengenit evropian.
Por shumë të tjerë janë konfuz se e gjithë kjo lëvizje politike, po bëhet për shkaqe e arsye të tjera që mund të nxjerrin të fituar Ramën apo Vuçiçin, por jo popujt e Serbisë dhe Shqipërisë.
E nëse për Serbinë mund të ketë dyshime nëse është ose jo në favorin e saj, për ne një gjë e tillë është tashmë e vulosur. Kjo sepse në rradhë të parë ne jemi një vend relativisht i vogël dhe me një treg shumë në disfavor krahasuar më tregun serb.
Gjithashtu u pa qartë që nuk është as një projekt që do të ndihmonte vëllezërit tanë në Kosovë. E qartësoi Rama kur në sytë e mikut të tij Vuçiç, por jo mikut të shqiptarëve nuk la gjë e fjalë pa thënë për elitën politike dhe insitucionale të Kosovës.
Një marrëdhënie e mirë e kaq miqësore me Kryeministrin e Serbisë duket që nuk të çon gjëkundi, as politikisht e as gjeopolitikisht. Thënë kjo edhe në përqasje me aspiratat që ka tashmë prej vitesh Shqipëria dhe kombi ynë.
Kështu një nga qëllimet kryesore të shqiptarëve dhe mbarë kombit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe qenia përkrah aleancës euroatlantike dhe asaj amerikane. Por duket që marrëdhënia kaq e ngushtë me Vuçiçin nuk të çon në atë rrjedhë.
Pra Serbia nuk është ndonjë shtet i madh që ka ndonjë dominim në skenën politike dhe që kjo do ta “tundonte” Ramën për ta pasur mirë me të. As Vuçiç nuk është ndonjë lider me përmasa globale a europiane që do ta ndihmonte Ramën të linte gjurmë ne histori, siç ky i fundit aq shumë do.
E vetmja aspiratë që mund t’i plotësojë kjo marrëdhënie kaq e mirë me Kryeministrin serb është afrimi me Moskën apo disa shtete të tjera të ngjashme me të, me të cilat Serbia ka interes e ngjan shumë me ta. Por jo ne, por jo Shqipëria.
Pra ky mund të jetë i vetmi përfitim i Ramës. Edhe Minishengeni është ide e mirë për t’u rënë në sy aleatëve të Serbisë, se me Evropën me këto skema vetëm punë mund të prishë.