Nga  Gladiola  BUSULLA

Durrës 14-02-2014 – Emrin e poetes Flora Dervishi do ta asocioja me perëndeshën Flora, e cila në pikturën me famë botërore “Primavera” të Sandro Botticelli-t personifikon ardhjen e pranverës që shpërndan lule të bukura shumënjyrëshe. Gjithnjë kam qenë e mendimit se emri nuk është rastësi. Vërtet që Flora me vargjet e saj erëmon poezi në çdo hap që hedh. Tashmë fjala artistike është bërë pjesë përbërëse e substratit të identitetit të saj.

Tek ajo, gjithçka tingëllon poetikisht; buzëqeshja, e folura lozonjare, humori, shikimi, madje dhe kur kumton apo referon me seriozitet transmeton nota poetike. Flora gruaja, drejtoresha, poetja që kalon pjesën më të madhe të ditës midis librave, mbart vulën e poetes së mirëfilltë. Ashtu siç ndodh me një poete të vërtetë, intuitën e ka të fortë, ndjen emocionin, përjeton sentimentin, si zonjë dhe robinë e poezisë; e marrosur dhe e magjepsur pas saj.

Vargu i saj zhegitës, përdëllimtar, ëndërritës, i vëmendshëm ndaj çdo fenomeni a tallazi shpirtëror të fton shqeptas, në suazën e kujtimeve; nëna, vajzat, vendlindja, familja, dhembja, pasiguria, ngashwnjimet, dwlirwsia, forca e dashurisw shpwrthyese, nxënësit, lëndimi, xhelozia. “Beteja” e saj letrare ka prekur kordat e ndjeshmërisë poetike përgjatë viteve duke u mirëpritur krahëhapur, si në qarqet akademike, ashtu dhe nga publiku me më pak përvojë.

Poezinë e saj do ta krahasoja me “Pulëbardhën” e Dritëro Agollit, por me një ndryshim që bën diferencën e madhe. Në finale, poezia –pulëbardhë e Flora Dervishit nuk i hap krahët e bardhë në rërën e njomë, por ngrihet triumfuese drejt qiellit.

Veprimtaria e saj letrare mund të ndahet në tri faza: faza e rinisë, e mbushur plot emancipim qytetar; faza e ndërmjetme, në të cilën shfaqet si grua e pjekur, një amazonë plot pasion e dëshirë për të jetuar; faza e tretë meditative, plot sofizma e vlera artistike, ku mund të gjesh konfigurimin e një poeteje dhe dinjitetin e një emri që tashmë ka lënë shenjë.

Në bërthamat e poezisë së saj evidentojmë muzikalitetin e shpirtit, qëndrimin plot mirëdashje e fisnik, gjejmë vlagën e dheut të të parëve e kumtin e paçmuar të jetës.

Flora Dervishi ka tri vajza, të trija artiste; dy prej tyre kontribuojnë në Shqipëri e njëra syresh përtej Adriatikut në Itali. Kjo gjeneratë-dhuratë që vetëm një poete mund të ngjizë është destin poetik apo frymë qumështmëkuese?! Ndoshta duhet të jetë e pashmangshme, nanuritja e ëmbël poetike që unifikon njeriun me Krijuesin.

Por misioni i saj, ende nuk ka mbaruar, sepse fatmirësisht Flora është një shembull atipik dhe jam e bindur, se trashëgimia e saj artistike nuk do të mbetet me kaq.

Unë madje do të guxoja deduktimin e një formule poetike, me titujt e publikimeve të saj.                                      

Lulekumbullat

Kërkoj.

Pas një ëndrre,

Hija vrasëse.

Mes enigmave,

Rrethimi i shpirtit.

Vetëm e vërteta

Na bën njerëz të lirë.