Ende pa e bërë lidhjen publike, vetëm tre muaj pas nisjes së historisë më të re të showbizit shqiptar, po flitet se janë ndarë tashmë rrugët e kantautorit Flori Mumajesi dhe moderatores së “Prive”, Liberta Spahiut.
Ndonëse nuk kanë pranuar publikisht që kishin një histori dashurie, Flori Mumajesi dhe Liberta Spahiu u fol se bashkëjetonin në një vilë në periferi të Prishtinës. Transferimi i këngëtarit në Kosovë ishte natyrisht një vendim i papritur, ndërmarrë nga ai për faktin se ndoshta donte të qëndronte sa më pranë dashurisë.
Por, mediat e Kosovës po shkruajnë se plani i Florit tashmë ka dështuar. Lideri i “Three Dots” dhe prezantuesja e “Prive” nuk janë më bashkë. Mbase nuk bëhet fjalë për ndarje përfundimtare, por fotot e publikuara prej tyre në rrjetet sociale kanë lënë vend për dyshime. Liberta është nisur me pushime e vetme, siç duket në vendet latine, ndërsa Flori është aktualisht i impenjuar me produksionet e reja dhe koncertet me djemtë e grupit. Moderatorja nga Kosova ka publikuar foto topless në Instagram, por pa zbuluar se kush ia ka shkrepur fotot, ndërsa Flori po punon me mikun dhe kolegun e tij Brunon, por edhe po shijon suksesin e “Nallane 3” me Vik Krajën dhe Arilena Arën.
Ndarje apo jo, mbetet ta shohim në vazhdim, por tashmë asnjë shenjë mes tyre nuk tregon se ata i lidh diçka bashkë. Lajmet e para se mes Florit dhe Libertës kishte nisur diçka u publikuan në media në muajin prill. I ftuar në rubrikën “Për drekë me mua” në “E Diela Shqiptare”, kur u pyet nga dietolgia Blerina Bombaj se cila ishte arsyeja e vendosjes së tij në Kosovë, Flori iu përgjigj: “Po ja, bëj pak muzikë, po mësoj dialekte të ndryshme, po shijoj ushqime të tjera… Por jo vetëm për këto.
Në Kosovë ka dhe shumë vajza të bukura. Ndryshe nga vajzat e Shqipërisë, ku ka gjithashtu vajza shumë të bukura, në Kosovë janë më shtatlarta, kanë tipare, mollëza e vetulla më të theksuara….”
Të gjithë hamendësuan për Libertën, por kur ai priti në vilën në Kosovë miqtë për drekë, Eni Çobanin e Arbi Maznikun, i ngacmuar nga të dy nëse në vilë kishte fshehur ndonjë vajzë, Mumajesi u shpreh se vila ishte një banesë djemsh, ku bashkë me të jetonin kolegët e tjerë të grupit të tij./Panorama